Presidenti amerikan Xho Bajden paralajmëron Izraelin se do të bllokojë ndihmat ushtarake, nëse ushtria izraelite hyn në Rafah. Në një intervistë për CNN, Bajden tha se asnjë lloj armatimi që Shtetet e Bashkuara kanë dërguar deri më sot në Izrael, nuk do t’i jepet këtij vendi nëse hidhet ky hap.

Si dëshmi për seriozitetin e këtij paralajmërimi, Uashingtoni pezulloi të mërkurën, dërgimin e ngarkesave me bomba dhe predha për ushtrinë izraelite. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Uashingtoni nuk do të heqë dorë megjithatë nga mbrojtja e sigurisë së Izraelit.

Deklaratën e presidentit amerikan e ironizoi në rrjetet sociale, ministri izraelit për sigurinë kombëtare Itamar Ben Gvir, i cili shkroi “Hamasi dashuron Bajdenin”. E për të treguar se nuk heq dorë nga plani i Rafahut që kundërshtohet nga Uashingtoni, ushtria izraelite bombardoi ashpër disa pjesë të këtij qyteti, në orët e para të kësaj të enjteje.

Në fillim të kësaj jave, ushtria izraelite mori nën kontroll pikat kufitare të Rafahut me Egjiptin, që janë kyçe për hyrjen e ndihmave humanitare dhe dërgimin e të plagosurve palestinezë për kurim drejt spitaleve egjiptianë.

Kjo u komentua si nisje e sulmit tokësor. Ndërkaq, qeveria izraelite u ka bërë thirrje banorëve të lagjeve lindore të Rafahut të largohen sa më shpejt nga shtëpitë, për t’u strehuar në Kan Junuz. Deri më tani, thirrjes i janë përgjigjur të paktën 50 mijë palestinezë.

Tv Klan