Për herë të parë presidenti amerikan Joe Biden i bëri një thirrje të fortë Izraelit se do të ndalë dërgesat me armë nëse nis pushtimin e Rafahut.

Në një intervistë për CNN, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se Izraeli ende nuk e kishte kaluar vijën e kuqe, atë të hyrjes në zona shumë të populluara.

“Civilët janë vrarë në Gaza si pasojë e atyre bombave. E kam bërë të qartë se nëse ata shkojnë në Rafah edhe pse ata ende nuk kanë shkuar në Rafah, unë nuk do të furnizoj më Izraelin. Ne nuk do të furnizojmë më me armë dhe predha artilerie. Por ia kam bërë të qartë kryeministrit izraelit Netanyahu dhe kabinetit të luftës, se ata nuk do të marrin mbështetjen tonë, nëse shkojnë në këto qendra të popullsisë.”

SHBA-ja javën e kaluar ndaloi dërgesat e bombave që Izraeli do t’i përdorte për të shkatërruar batalionet e Hamasit. Biden u shpreh gjithashtu se SHBA do të ndalonte dërgimin e armëve sulmuese në Izrael nëse do të fillonte një pushtim, por do të vazhdonte të siguronte armë mbrojtëse, duke përfshirë sistemin e saj të mbrojtjes ajrore Iron Dome, i cili ndihmoi në zmbrapsjen e sulmeve të fundit me raketa dhe dron nga Irani dhe aleatët e tij.

Presidenti ka qenë nën presion të jashtëzakonshëm, përfshirë nga anëtarët e partisë së tij, për të kufizuar dërgesat e armëve në mes të një krize humanitare në Gaza. Deri më tani, presidenti i kishte rezistuar atyre thirrjeve dhe i kishte mbështetur fuqishëm përpjekjet e Izraelit për të ndjekur Hamasin. Megjithatë, një pushtim i afërt i Rafahut, qyteti në Gazën jugore ku më shumë se një milion civilë palestinezë janë strehuar, duket se ka ndryshuar qasjen e presidentit amerikan.

Edhe pse mes thirrjeve të vazhdueshme për të mos nisur ofensivën duket se qeveria e Netanyahut vijoi planin operacional për t’i shkatërruar edhe bastionet e fundit të grupit militant. Ushtria izraelite urdhëroi dhjetëra mijëra civilë të nisin evakuimin e pjesëve lindore të qytetit Rafah, përpara atij që e quajti një operacion “të kufizuar”.

Mes të tjerash presidenti amerikan komentoi edhe protestat pro-palestineze që shkaktuan kaos në shumë kolegje amerikane për disa javë me radhë.

“Ekziston një e drejtë legjitime për fjalën dhe protestën e lirë. Ka një të drejtë legjitime për ta bërë këtë dhe ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Por nuk ka një të drejtë legjitime për të përdorur gjuhën e urrejtjes.  Ata nuk kanë të drejtë legjitime për të kërcënuar studentët hebrenj. Nuk ka një të drejtë legjitime për të bllokuar aksesin e studentëve në klasë. Kjo është kundër ligjit.”

Biden hodhi poshtë gjithashtu sondazhet që tregojnë se ai ishte më poshtë rivalit të tij republikan Donald Trump dhe shprehu optimizëm për zgjedhjet e 5 Nëntorit.

Klan News