Duhet të ishte seanca e “halleve” të popullit, por zgjati më pak se 7 minuta. Me të njëjtin skenar, zhurmës së blilbilave dhe pankarta në duar, deputetët e opozitës edhe këtë të hënë bllokuan foltoren e Kuvendit, duke e bërë të pamundur vijimin normal të seancës plenare.

“Njerëzit duan të dëgjojnë për hallet e shqetësimet e tyre, jo hallet tuaja.”

Protagonisti kryesor i aksionit opozitar ishte Flamur Noka, i cili lëvizjen e parë e bëri në drejtim të Ministres së Parlamentit, Elisa Spiropali, duke i vendosur një pankartë në tavolinë.

Veprimin e demokratit Noka, kjo e fundit e priti me jo pak sportivitet, teksa edhe garda nuk ndërhyri mes tyre. E pas Ministres Spiropali, shënjestra e radhës ishte deputeti socialist, Vullnet Sinaj. Sërish “flamurin” e betejës në kuvend e mori deputeti Noka.

Por për të mbërritur tek deputeti Sinaj, iu desh që më parë të kalonte perimetrin e sigurisë të vendosur nga punonjësit e gardës.Zhurmuesi që mbante në dorë i shërbeu për t’I bllokuar disa herë fjalën që kryetarja e Kuvendit i kishte dhënë deputetit socialist. Kaq mjaftoi që Lindita Nikolla më pas të mbyllte seancën plenare.

Nuk dihet nëse ky veprim Flamur Nokës do t’I kushtojë një tjetër përjashtim, i cili së bashku me deputetët Gazment Bardhi e Bledion Nallbati kryesojnë listën e të përjashtuarve nga radhët e demokratëve që pas nisjes së mosbindjes civile në Parlament.

Tv Klan