Gjykata greke ka vendosur arrest me burg për 5 anëtarët e një rrjeti kokaine, që dyshohet se drejtohej nga biznesmeni shqiptar Arian S. 54 vjeç.

Gjatë mbrojtjes para trupit gjykues, biznesmeni shqiptar mohoi çdo përfshirje të tij në trafikun e kokainës. Arian S. tha se është president i një kompanie gazi në Shqipëri, është biznesmen i suksesshëm dhe për këtë arsye nuk kishte nevojë të merrej me trafik droge për përfitime ekonomike. 54-vjeçari shtoi se kishte ndërmjetësuar me biznesmenin grek Sakis Karatzounis për të bashkëpunuar në fushën e tregtimit të gazit.

Nga ana tjetër, biznesmeni grek shfaqi pendesë për përfshirjen në këtë rrjet droge dhe tha se kishte pranuar që të fshehte në shtëpinë e tij lëndën narkotike. Sipas Karatzounis, shqiptarët i kishin bërë presion për të fshehur drogën në mënyrë që mos të prishnin marrëveshjen e biznesit që kishin arritur.

Policia greke me bashkëpunimin edhe të DEA-s amerikane, ka arritur në konkluzionin se rrjeti i trafikut të kokainës drejtohej nga biznesmeni shqiptar nga Fieri, Arian S. Droga vinte nga Kolumbia dhe përpunohej në Shqipëri dhe Kosovë, e më pas trafikohej për në Trikalla, Greqi. Pikërisht këtu ishte baza ku magazinohej lënda narkotike, për t’u shpërndarë më pas në Athinë dhe Mikonos. Autoritetet greke kanë sekuestruar 20 kg kokainë që i përket grupit kriminal prej 5 anëtarësh të përbërë nga 4 shqiptarë dhe 1 grek.

/tvklan.al