Pas përfundimit të takimit të thërritur nga Kryeparlamentari Ilir Meta, kreu u Libras, Ben Blushi tha se tryeza ishte informuese për çka ndodhur një ditë më parë në takimet e zhvilluara me negociatorët europianë.

Në një prononcim për gazetarët Blushi theksoi se kjo nuk ishte një tryezë për të gjetur zgjidhje, por për të informuar sesi nuk ka zgjidhje. 

Sipas tij, mungesa e Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Demokratike e kishte vulosur fatin e kësaj mbledhjeje. Kjo sipas Blushit, për shkak se ata janë dy aktorët kryesorë për zgjidhjen e krizës.

“Ishte një tryezë informimi dhe fakti që PD dhe disa parti të tjera nuk morën pjesë dhe Rama nuk ishte, e bëri të padobishme tryezën. Njerëzit mos presin që kriza të zgjidhet edhe pas kësaj tryeze. Kështu që më shumë u informuam për çfarë ka ndodhur dje me negociatorët europianë.  Kanë dështuar të gjitha negociatat politike që zhbllokojnë zgjedhjet dhe vetting -un. Ka një tentative për ta zgjidhur krizën me mjete teknike, çka nuk ka për të ndodhur.  Tryeza nuk pati asnjë përfundim sepse nuk u thërrit për këtë punë. Që në fillim dihej që Kryeministri s’do të merrte pjesë, kur ai duhet ta zgjidhje. Më pas u mor vesh që PD nuk do të ishte. Si mund të ketë përfundim kur ata që duhet ta zgjidhin krizën nuk ishin. Nuk ka zgjidhje, shpresoj të ketë zgjedhje. Sonte nuk ishte një tryezë për të gjetur zgjidhje ishte një tryezë që na informoi sesi nuk ka zgjidhje”.

Në mbledhje, tha më tej Blushi, u diskutua edhe për forcimin e standardeve zgjedhore. /tvklan.al