Dimitri Payet kërkon të largohet nga West Ham dhe për këtë ka bojkotuar stërvitjen, pasi nuk ka gjetur mirëkuptimin e drejtuesve të klubit.

Mesfushori francez me tipare sulmuese, edhe pse në Shkurtin e vitit të kaluar firmosi një marrëveshje të re me 125 mijë paund në javë, më i paguri në ekipin londinez, dëshiron të vijojë karrierën në një klub më të njohur.

Mediat britanike shkruajnë se për të interesohet Paris Saint Germain. Dëshirën e Payet për t’u larguar e konfirmoi trajneri i West Ham, Slaven Bilic, por duke shtuar se klubi nuk do ta humbasë, pasi është një nga lojtarët më të mirë.

Dimitri Payet erdhi në Londër nga Marseille në vitin 2015. Paraqitja e tij në finalet e Euro 2016 me Francën tërhoqi vëmendjen të shumë skuadrave. 29 – vjeçari më parë është aktivizuar me Excelsior në Hollandë dhe Nantes, Saint-Etienne e Lille në Francë.

Tv Klan