ceremoniaPër të përjetësuar lidhjen sublime me tokën e tij, ai e gdhendi atë në emrin e tij, Idriz Basha i Novosejit.

Edhe kur bota përreth i dha lamtumirën, ai ishte veshur me flamurin kuq e zi.

Ceremonia për Idriz Bashën e Novosejës u zhvillua nën logon “Jam shqiptar” në kishën “Abbaye de la Cambre” në Bruksel.

Bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja e ideve, Kimete Basha përcjell mesazhin e Idriz Bashës për shqiptarët:

Kimete Basha – Bashkëshortja: Ishte shumë modest si burrë. Thonte me bo detyrën tonë. Duhet me bo detyrën tonë! Jemi qindra e qindra shqiptarë, bashkë, çdo kush me bo diçka, bëjmë diçka të madhe”.

Aurelie Basha – Vajza: “Për babain tim porta e shtëpisë rrinte hapur për të gjithë. Ai rrinte në dispozicion të të tjerëve, i dëgjonte, u jepte kurajo dhe i ndihmonte. Mua më dukej që ai e tepronte, por për babin tim kjo ishte të jesh shqiptar”.

Idrizi u detyrua të braktisë Shqipërinë pa mbushur 10 vjeç, por nuk e braktisi për asnjë moment çështjen shqiptare.

Shahin Kadare – Mik i Idriz Bashës: “Ai solli tek ne një mesazh të paqes, të mirëkuptimit, një mesazh që akoma vlen sot, që ne ta dëgjojmë dhe ta ndjekim në atë gjendje që jemi sot në Shqipëri, që të gjithë e dinë sesa të ashpër e kemi luftën politike dhe përballjen”.

Ai u angazhua si publicist i nivelit të lartë në mbrojtje të çështjes së Kosovës dhe denoncimin e regjimit komunist në Shqipëri. Shkroi mbi 200 shkrime në gazeta presigjioze europiane si “Le Monde” dhe “La Libre Belgique”.

Preç Zogaj – Publicist: “Idrizi është i vetmi që ka arritur të botojë mbi 200 shkrime në shtypin më të njohur të Evropës, kur ne nuk dinim se çfarë thuhej për Shqipërinë në Evropë, përgjatë komunizmit. Ka shkruar për pushtimin, ka denoncuar krimet serbe në Kosovë. Për një kohë të gjatë ka qenë zëri më i artikuluar i çështjes kombëtare”.

Idrizi ishte në krye të shumë manifestimeve dhe protestave që zhvilluan emigrantët politikë shqiptarë kundër represionit komunist në Shqipëri dhe represionit serb në Kosovë.

Vizionin e tij për një Shqipëri të lirë euroatlantike Idrizi e zhvilloi përmes krijimit të organizatës “Shqiptari i lirë” në 1990, e para që mbështeti levizjen studentore dhe Partinë Demokratike.

Ai ishte një nga të ftuarit e nderit në Kuvendin e parë të Partisë Demokratike në 1991, në emër të emigracionit politik.

Idriz Basha (Në Kuvendin e parë të Partisë Demokratike, 1991): “Atdheu ynë sot ma tepër se kurdo herë ka nevojë për bijtë dhe bijat e tij. Solucioni nuk mundet me qenë në eksodin masiv. Populli ynë duhet të gëzohet dhe të lumnohet në trojet e veta”.

Idriz Basha ishte frekuentues i hershëm i rretheve politike dhe mediatike të Brukselit dhe të Parisit.

Ai u vu në shërbim të vlerave të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri dhe Kosovë deri në vdekje.

Tv Klan