banka_e_shqiperiseBanka e Shqipërisë vëren se besimi i bizneseve dhe konsumatorëve për ekonominë ka rënë me 4.6% në fillim të këtij viti.

Ky përfundim del pas një vrojtimi të bërë prej saj në 3-mujorin e parë të 2015-ës në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe tek konsumatorët.

Rënie e besimit është shënuar duke filluar nga ndjesia ekonomike për të vijuar me ndërtimin, tregëtinë, industrinë dhe shërbimet.

Kjo rënie sipas Bankës ka frenuar prirjen rritëse të regjistruar që prej tremujorit të fundit të vitit 2013.

Rënie më e madhe e besimit vërehet në sektorin e ndërtimit, me 5.2 pikë përqindje. Shkaqet sipas bankës lidhen me rënien e kërkesës për blerje dhe rënien e prodhimit.

Më pas vjen rënia e besimit në sektorin e tregtisë me 4 pikë.  Shkak për këtë është bërë rënia e kërkesës së brendshme për blerje po ashtu edhe kërkesës së jashtme.

Edhe sektori i industrisë regjistroi rënie në tremujorin e parë të vitit me 3.2 pikë. Ky është tremujori i dytë radhazi që ky sekor shënon rënie të besimit në ekonomi. Shkaqet lidhen me rënien e prodhimit dhe gjendjen financiare.

Besimi i konsumatorëve shënoi rënie me 2.7%.  Kjo rënie sipas Bankës së Shqipërisë lidhet me  koston e lartë të jetesës dhe me pamundësinë për të bërë blerje. Trendi në rënie i besimit në ekonomi nga ana e kosnumatorëve ka nisur që në tremujorin e fundit 2014.

Në muajt në vijim, sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë qytetarët shqiptarë do të vazhdojnë të jenë pesimistë edhe për krijimin e  vendeve të punës.

Tv Klan