Më shumë interes nga biznesi për financim në Lekë

Turizmi dhe shërbimet duket se kanë shtuar investimet e tyre për të përmirësuar kushtet dhe ofertën e tyre ndihmuar kjo nga bankat e nivelit të dytë përmes kredimmarrjes. Një vrojtim i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se gjatë muajit shkurt të këtij viti sektori i akomodimit dhe shërbimi ushqimor kanë përfituar 148 milionë lekë më shumë, hua të re në krahasim me një muaj më parë.

Ritmet e rritjes së kredisë për biznese, prej mesatarisht 5%, po zhvendosen drejt financimit në lekë dhe për mbulimin e nevojave për financimin e investimeve. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë gjatë 3 mujorit të fundit të 2023 janë mbyllur 90 kredi në euro me një shumë prej 4.6 miliardë lekë.

Kredia për sektorin e turizmit dhe atë të shërbimeve ka njohur përmirësim krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit, në 12% dhe 16% përkatësisht. Nga të dhënat vërehet se financimi i sektorëve të bujqësisë, të ndërtimit dhe të tregtisë ka shfaqur norma më të ngadalta rritjeje.

Këto zhvillime janë në linjë me kontributin e këtyre sektorëve në rritjen e aktivitetit ekonomik në vend. Gjatë këtij viti Shqipëria pret një rritje të numrit të turistëve me gati 40 % ndërsa në total shifra parashikohet të arrij në 14 milionë shtetas të huaj.

Tv Klan