Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Marjo Ribaj, i akuzuar për vrasjen e mikut të tij Fabjon Veizaj të premten e kaluar në Vranisht të Vlorës.

Autori i krimit ka rrëfyer para prokurorit se motiv i krimit ishte borxhi prej 120 mijë lekësh të reja që viktima i kishte, pasi i kishte shitur një makinë në muajin Gusht.

Sipas 23-vjeçarit Ribaj ai e kishte telefonuar Veizajn me datën 10 Nëntor për t’i kërkuar paratë, por ky i fundit i kishte thënë se i kishte paratë por nuk donte t’ia jepte.

Një ditë më pas autori është nisur për në Vranisht sëbashku me mikun e tij, Endri Pango. Kur kanë mbërritur tek shtëpia e viktimës ka takuar të vëllanë, ku i ka thënë se duhet ta takonte Fabjonin.

Pas disa minutash ka mbërritur dhe Fabjoni, i cili ka hyrë në banesë dhe ka marrë një armë duke qëlluar në drejtim të Ribajt. Më pas ai ka tentuar të largohet bashkë me mikun e tij, por viktima u ka dalë para duke goditur me tytën e armës pjesën e përparme të makinës. Në këtë moment thotë në dëshmi 23-vjeçari ka marrë armën që kishte në makinë dhe ka qëlluar në drejtim të viktimës. I njëjti version është treguar dhe nga bashkëpunëtori Endri Pango, i cili është lënë në burg.

Por pavarësisht këtyre deklarimeve, policia nuk ka gjetur një armë tjetër e cila është përdorur në vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve paraprake ka patur një debat mes viktimës dhe autorit. Me pas ky i fundit ka marrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të tij.

Tv Klan