Bashkëshorti i Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj është përfshirë në një konflikt me kreun e Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Ngjarja sipas policisë ka ndodhur më 21 nëntor të vitit të kaluar.

Zyrtari Eri Koshaj ka denoncuar në polici Andri Ibrahimajn, bashkëshortin e ministres, të cilin e akuzon se e ka kanosur dhe goditur me thikë, pas një konflikti në rrugën “Tefta Tashko Koço”, pranë Pazarit të Ri.

Pas marrjes së denoncimit prokuroria ka nisur procedimin penal në ngarki të Andri Ibrahimajt për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”. Në një reagim për këtë ngjarje, ministrja Delina Ibrahimaj pranon se ka nisur procedimi penal ndaj bashkëshortit të saj. Ajo sqaron se procesi është pushuar për mungesë provash.

“Konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit tim, jo në zyrat e shtetit dhe pasi është hetuar nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër është pushuar për mungesë provash. I vetmi ndikim i imi në këtë proces ka qenë se nuk e kam lejuar bashkëshortin të bëjë kallëzim, pikërisht sepse personi në fjalë ka qenë drejtues i një institucioni varësie kur kam marrë detyrën si Ministre e Financave dhe s’kam dashur në asnjë mënyre që familja ime të marrë iniciativën.”

Sipas ministres, bashkëshorti i saj është kallëzuar padrejtësisht për diçka që nuk e ka bërë. Ministrja Ibrahimaj sqaron më tej se konflikti nuk ka lidhje me detyrën dhe këtë e vërteton me faktin se Eri Koshaj vijon të qëndrojë në vendin e punës edhe pas largimit të saj nga posti i Ministres së Financave dhe Ekonomisë.

Ibrahimaj thotë se nuk ka patur asnjë konflikt me asnjë person në varësinë e saj, ndërsa thekson se kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me institucionet shtetërore.

Klan News