Mesazhet e mirënjohjes nuk mungojnë kurrë në “Ka Një Mesazh Për Ty”, por ajo që i bën më të bukura është historia pas tyre. Këtë herë, pjesë e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ishte gazetari Osman Stafa në një rrëfim sesi profesori i Histori-Gjeografisë në klasë të gjashtë i tregoi se kishte më shumë potencial sesa notat në regjistër.

Gazetari kujtoi ndihmën e mësues Genc Gjevorit, i cili është babai i gazetares së emisionit “Stop”, Odeta Gjevorit, udhëzimet e tij dhe ndikimin që pati në zgjedhjen e mëvonshme të profesionit të gazetarisë. Mesazhin Osmani e përmbyll edhe me pak nota humori që marrin një shikim paksa ‘qortues’ nga profesor Genci.

Osman Stafa: Profesor Genci, momentin që vendosa të bëj këtë mesazh, të të falenderoj publikisht dhe të shpreh mirënjohjen time maksimale, jam ndeshur me një thënie ku “vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit s’mund të maten kurrë”. Të dytën, nuk ia di peshën, por të parës ia kam ndier vlerën. Doja të të falenderoja paçka se në momentin tim që e kam konsideruar veten një nxënës i dobët, fatmirësisht të çoi Zoti në shkollën tonë sepse ishe pikënisja ime për të qenë një njeri që jam sot. Është e vërtetë që ti ke dalë vitin e kaluar në pension, nuk kam dashur të të ngacmoj në këtë pjesë sepse e di që nuk është fort ndjesi e mirë t’i dedikohesh gjithë jetën tënde arsimit, por dua të dish vetëm diçka, që si mësues ti ke bërë jo vetëm si punë këtë profesion, por e ke bërë si mision,  paçka se me ndikimin tënd unë vazhdoj sot të bëj një profesion që ti ma ke ngacmuar që më ke thënë në klasën e gjashtë që do të bëhem gazetar, ta bëj si mision sot kështu që unë të falenderoj dhe mësuesit si ti mos u shterofshin kurrë dhe besoj fort që edhe shokët e shoqet e klasës që kemi qenë së bashku kanë këtë mendim dhe janë me mua sot teksa unë të bëj këtë mesazh publik falenderues, por e kisha më shumë personal sepse gjatë gjithë rrugëtimit tim e kam kthyer pas kokën për të thënë ku e nisa unë dhe gjithmonë më nis çdo gjë te profesor Genci, i cili një mësues i Historisë na nxiti si me mësimet e Historisë, mënyrën sesi duhet t’i shikonim gjërat për të qenë qytetarë të mirë dhe ti këtë detyrë që e ka mësuesi, e ke kryer më së miri, të falenderoj, të jam mirënjohës. Më fal, vetëm diçka, më fal që s’të kam lënë të flasësh shumë në orët e mësimit në atë kohë se i mbaj mend shumë mirë dhe tjetra, të kam bërë diçka. Duke qenë se më kishe dërguar te nxënësit e mirë, kisha turp njëherë, kisha ardhur pa përgatitur dhe kam ngritur dorën kot sepse nuk rrija dot pa ngritur dorën dhe më the “ule sepse e di që ke mësuar” kështu që…

Ardit Gjebrea: Rroftë sinqeriteti!/tvklan.al