Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kurrë më parë në historinë e saj Galeria Kombëtare e Arteve, nuk kishte ndërmarrë një iniciativë të tillë, t’ia kushtonte tërë hapësirën e ekspozimit një show vizual nën firmën e grave artiste shqiptare.

Me një gjallëri jo të zakontë, 34 gratë pjesëmarrëse në këtë ekspozitë kanë sjellë pothuajse çdo lloj forme të artit vizual, piktura, instalacion, foto, fotomontazh, video, kolazh, artmiks e mjaft lloje të tjera, janë paraqitur në ekspozitën “My changes”. Ndërsa ecën mes punëve të grave artiste, kupton se aty ka pjesëmarrëse nga të gjitha moshat dhe se arti në duart femërore, merr një formë më të ndjeshme.

“Mosha fillon 80 vjeç, e gruas dhe artistes Iqmete Zyma, që jeton dhe krijon akoma, deri në mosha më të reja, deri në momentin që kanë mbaruar akademinë”.

Në kënde të ndryshme të kësaj ekspozite është krijuar hapësirë edhe për t’i bërë homazh veprës së artistëve, të cilat nuk ndodhen më midis nesh. Kjo ekspozitë që mblodhi një numër të madh vizitorësh në çeljen e saj do të qëndrojë e hapur deri në datën 15 Mars./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora