“Stop” është ndalur në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, për një denoncim nga qytetari Besnik Allushaj. Ky i fundit jeton në këtë zonë prej 33 vjetësh, por nga viti 2006 deri më sot, nuk është pajisur me leje legalizimi.

Allushaj tregon, se ka paguar 3 milionë lekë me zarfin e 3-të të procedurës, por tek ALUIZNI para 3 vjetësh i thanë se zona e tij është zonë arkeologjike. Si të mos flitej për të njëjtën zonë, komshinjtë kufitarë janë pajisur me leje legalizimi.

Besnik Allushaj: Jetoj tek një godinë këtu pranë stadiumit, prej 33 vitesh. Kam aplikuar për legalizimin e banesës ku ndodhemi tani dhe nuk po gjej zgjidhje. Kam aplikuar që në vitin 2006. Herën e fundit që shkova tek ALUIZNI, në drejtori më thanë se nuk mund të bëhet legalizim aty për arsye se është shpallur zonë arkeologjike. Në një kohë kur shumë komshinj të mitë janë legalizuar, pallatet këtu janë përballë, stadiumi këtu, zjarrfikësja atje. Unë nuk e kuptoj ku është zona arkeologjike? Me sa kam dëgjuar, unë gëzoj që i kanë legalizuar, janë kjo familja këtu dhe janë edhe disa të tjera matanë, që janë kufitarë me mua dhe me nënën time. Në këtë zonë jam pa legalizuar vetëm unë dhe nëna ime. Kam arritur të paguaj edhe zarfin e tretë. 3 milionë vajti. Dhe nuk jam pajisur ende me legalizim. Unë nuk kuptoj një gjë, përse unë përjashtohem nga ky ligj, nga kjo e drejtë?  Nuk po e kuptoj ku është zona arkeologjike. Këtu nuk ka pasur kurrë, tërë jetën, vajta 65 vjeç, gërmime. Absolutisht nuk ka asnjë mur. Ja këtu përballë që unë po të tregoj me gisht, kanë qenë kazermat italiane.

Gazetarja: More se do ta gjej, do ta gjej, por pse të më lodhë?

Besnik Allushaj: Zonën arkeologjike?

Gazetarja: Po.

Besnik Allushaj: Ishalla e gjen. Që të bindem edhe unë që ka të drejtë.

Gazetarja: Kjo nuk është, kjo jo, kjo jo, atëherë ça do jetë?

Besnik Allushaj: Mund të jem unë, i zbritur nga kozmosi. Për Zotin, kështu vajti puna. Prandaj ju drejtova juve, vetëm për një gjë jam i sigurt, që këtu nuk ka zonë arkeologjike. Po edhe sikur të jetë, vetëm për familjen time qenka, po për të tjerët?

Dy specialistë të ALUIZNI-t përgjigjen, se zona ku ka shtëpinë Besnik Allushaj, është zonë arkeologjike e tipit A. Për sa i përket komshinjve, ata ta gëzojnë dhe varet, si e kanë marrë dhe kur kanë aplikuar,- thonë specialistët.

Qytetari- Unë banoj tek stadiumi. I kam kryer të tëra procedurat, që ka caktuar shefi.

Punonjësja- Po!

Qytetari- Kam bërë edhe pagesën e zarfit të 3-të.

Punonjësja- Edhe?

Qytetari- Vij këtu, për të vazhduar procedurën. Më thonë, që është zonë arkeologjike.

Punonjësja- Po!

Qytetari- Ëëë…

Punonjësja- Po, zonat arkeologjike nuk bëhen! Nuk lejohen tek stadiumi. Janë pezulluar.

Qytetari- Po komshinjtë e mi, që e kanë marrë?

Punonjësja- Tani, varet, kur mund ta kenë marrë komshinjtë e tu, zotëri!

Qytetari- Po unë në të njëjtin vit me ata e kam marrë. Bile, unë jam më i hershëm si banor në atë lagje.

Punonjësi-  Ta gëzojnë ata!

Qytetari- Ta gëzojnë! Nuk jam në kundërshtim, më vjen keq! Tashi, pse të mos gëzoj edhe unë? Po më dhemb kjo mo ti, unë jam banor më i hershëm, se ato, që kanë ardhur, biles kanë zbritur nga fshatrat.

Punonjësi- Po ashtu t’ia thuash!

Qytetari- Unë kam lindur në qytet dhe jam akoma në kozmos, domethënë, s’jam bërë banor akoma.

Punonjësi- Ashtu, ashtu t’ia thuash edhe atij! Të jetë një specialist, të merret vetëm me punën tënde!

Kur me ALUIZNI-n përballet gazetarja e “Stop”-it, Artan Beqiri thotë se Besnik Allushaj, ka një shans të dytë, si banues i hershëm dhe objekt i vjetër. Madje dhe paratë, 3 milionë lekët, do t’i kthehen mbrapsht.

Artan Beqiri (Specialist ALUIZNI Vlore): Kjo dosje aktualisht gjendet në arkiv. Arsyeja pse kjo dosje nuk është trajtuar është se nëse kjo dosje do tu nënshtrohej procedurave kualifikuese, ky objekt do të skualifikohej nga legalizimi në bazë të vendimit të qeverisë, i cili thekson qartë kriteret për legalizimin e ndërtimeve dhe shtesave pa leje. Në zonat arkeologjike të tipit A, objektet nuk legalizohen.

Gazetarja: Kemi informacion që 3 familjeve, në të njëjtat pozita, u është legalizuar. Pse ALUIZNI është me dy standarde?

Artan Beqiri: Nuk jam në dijeni. E ka apo nuk e ka legalizimin një objekt tjetër ngjitur me këtë. Ta verifikojmë, ne do të bëjmë disa kërkime, do të prisni pak….Ky objekt, pasi është shumë i vjetër dhe është ndërtuar para vitit 1991, me vendim të qeverisë numër 442 të vitit 2018 është shprehur qartë se këto objekte mund t’i nënshtrohen kalimit të pronësisë për objektet e vjetra.

Gazetarja: Pra qytetari ka një mundësi për tu pajisur me legalizim.

Artan Beqiri: Qytetari e ka një mundësi.

Gazetarja: Po paratë që zoti Besnik Allushaj ka paguar ku shkuan? A do t’i marrë?

Artan Beqiri: Nëse objekti do të skualifikohet nga legalizimi, do të marrë vendimin e skualifikimit, pagesën që ka kryer, do e marrë mbrapsht.

Qytetari i shoqëruar edhe nga specialisti shkojnë të bëjnë aplikimin për legalizim të objektit.

Artan Beqiri: Qytetari ka kryer aplikimin për objektin e vjetër. Për këtë procedurat janë më të shkurta e më të thjeshta dhe nuk ka pagesë për truallin. Do të fitojë pronësinë për objektin dhe për truallin në bazë të kësaj dispozite ligjore.  

Besnik Allushi: Unë falënderoj me gjithë shpirt “Stop”-in për zgjidhjen e problemit tim, njëkohësisht edhe djalin që foli tani. Jam shumë i kënaqur nga zgjidhja./tvklan.al