Drejtuesit zikaltër premtojnë rreth 20 milion Euro bonuse nëse fitojnë trofeun

Epërsia prej 15 pikësh në kampionat duket se ka rikthyer qetësinë tek Interi. Skuadra italiane tashmë pritet ta fokusojë vëmendjen te Champions League. Rrugëtimi drejt këtij raundi është në kahun e duhur, pasi tashmë është hedhur një hap drejt turit çerekfinal.

Inter arriti në finalen e Champions League vitin e kaluar dhe synon të përmbushë të njëjtin objektiv këtë sezon, duke shpresuar për një fund tjetër, pra të ngre lartë trofeun.

Drejtuesit e klubit nga Milano kanë zbuluar edhe bonuset që do përfitojnë futbollistët në rast suksesi në finalen e madhe të Wembley. Sipas asaj që raportohet nga “Gazzetta dello Sport” lojtarët e Inter do të përfitonin 2 milionë Euro sa herë që kalojnë një raund këtë sezon, ndërsa bonusi kolektiv për fitimin e kompeticionit është 5 milionë Euro.

Lojtarët kryesorë të Interit do të ndanin edhe 4 milionë euro të tjera falë bonuseve të përfshira në kontratat e tyre. Gazeta sqaron se Simone Inzaghi dhe anëtarët e stafit të tij kanë marrëveshje të ndryshme.

Një shumë e rëndësishme që edhe presidenti Steven Zhang do të ishte i lumtur ta shpenzonte, duke qenë se të ardhurat nga eventi janë shumë më të larta. Në rast se Inter prek finalen e madhe, përllogaritet të fitojnë rreth 80 milionë euro.

Klan News