Fier, kultivuesit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit: Po falimentojmë

Çmimi i ulët i luleshtrydhes ka ngritur mëngjesin e kësaj të shtune dhjetëra fermerë të Fierit në protestë. Të ardhur nga të gjitha fshatrat e njësisë administrative Frakull, teksa kanë bllokuar rrugën, ata akuzojnë drejtuesit e pikave të grumbullimit se po e vendosin çmimin sipas dëshirës.

“Urdhëro, kjo është luleshtrydhja cilësore që po ikën jashtë, kjo është! Merre bëje analizën dhe nëse ato mbetje janë brenda standardeve evropiane, atëherë se kemi fajin ne, e ka Evropa.”

Tregtarët që mbledhin luleshtrydhet kanë përdorur si argument për çmimin e ulët faktin se prodhimi është me pesticide mbi normat. Por fermerët shprehen se ata kanë respektuar rregullat duke përdorur vetëm pesticide nga farmacitë bujqësore.

“Të punosh gjithë vitin për 3 mijë lekë arkën. Një dylym me luleshtrydhe do të paktën 7 deri në 8 milionë lekë shqiptare.”

“Arkën e marrin sa u do qejfi atyre, po ne ça fitojmë?!”

“Punojmë 1 vit dhe tashi unë për vete kam 30 mln lekë borxh në bankë, kredi!”

Për problemin e kontrollit të pesticideve që shiten në farmacitë bujqësore ka folur edhe drejtuesi politik socialist i qarkut Fier, Taulant Balla.

Taulant Balla: Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që jo çdokush mund të hapë një farmaci veterinare, duhet të jenë më të kontrolluar. Por edhe fermerët duhet të konsultohen me ekspertët e fushës se çfarë pesticidesh mund të lejohen. Apeli im është që mos të përdorin fare, për të garantuar që prodhimet të jenë biologjike.

Në ditët e fundit në disa media të vendeve fqinje janë botuar disa lajme të pafaktuara ku flitet për përdorim pa kriter të pesticideve në produktet shqiptare.

Klan News