Cristiano Ronaldo është gati të thyejë rekorde të reja. Ylli i Al Nassr është përfshirë në listën e skuadrës së Portugalisë për në Euro2024, gjë që do ta lejojë për të qenë në Kampionatin Europian për herë të gjashtë në karrierë. Ky është edhe rekordi i parë i thyer prej 39-vjeçarit, pasi ndante podin me portierin legjendar të Spanjës, Iker Kasijas i cili mori pjesë në 5 kampionate Europiane.

Prania e Ronaldos në skuadrën portugeze do të jetë një vlerë e shtuar. Sulmuesi i Al Nasër po përjeton një moment të mirë, pasi ka shënuar 42 gola sezonal për klubin saudit. Ronaldo udhëhoqi kombëtaren Portugeze gjatë fazës kualifikuese, ku shpesh me shiritin e kapitenit në krah realizoi 10 herë në 9 ndeshje. Ai synon edhe të thellojë rekordet për numrin e prezencave në fushë në turneun e kontinentit.

Deri më tani, ai udhëheq me 25 ndeshje në këtë kompeticion, teksa ka shënuar edhe 14 gola, shifra që mund të përmirësohen në Gjermani. Golashënuesi më i mirë në histori, ka shënuar deri më tani 128 gola në 206 paraqitje ndërkombëtare, ndërsa synon që të arrijë kuotën e 250 ndeshjeve me Portugalinë.

Në Kampionatin Evropian, Portugalia do të përballet me Turqinë, Çekinë dhe Gjeorgjinë. Skuadra e Roberto Martinez do të luajë ndeshjen e parë të turneut më 18 qershor në Leipzig kundër Çekisë. Kampionati Europian nga 14 qershori deri më 14 korrik do të vij falas dhe ekskluzivisht në TV kombëtar Klan.

Klan News