Një stërvitje ushtarake tre ditore, ku janë përfshirë më shumë se 40 milionë qytetarë rusë dhe trupa të njësive të shpëtimit, është konsideruar nga disa media ndërkombëtare si acarim i mëtejshëm i marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Rusisë.

Sipas britanikes “Daily Mail”, qytetarët rus po përgatiten për një luftë bërthamore me Perëndimin. Për një luftë bërthamore ka folur edhe Ministri rus i Mbrojtjes, sipas të cilit, nuk përjashtohet mundësia që “skizofrenë nga Amerika” të sulmojnë Rusinë.

Publikimi në “Daily Mail” vjen pas një lajmi të publikuan në faqën e Ministrisë së Emergjencave, e cila ka njoftuar për një stërvitje bërthamore, ku janë përfshirë rreth 40 milionë rusë. Zyrtarë rusë kanë thënë se po ndërtojnë vendstrehime nëntokësore ku do të mund të vendosen rreth 12 milionë njerëz.

Në fazën e tretë të stërvitjes ushtarake, përveç 40 milionë qytetarëve përfshin edhe angazhimin e 200 mijë specialistëve të njësive të shpëtimit të ndarë në rajone, organizata të ndryshme, si dhe rreth 50 mijë njësi pajisjesh.

Stërvitja ushtarake e bërë në kuadër të emergjencës civile, vjen menjëherë pas ndërprerjes së bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për zhvillimin e kërkimeve në fushën e energjisë dhe asaj bërthamore.

Sipas deklaratës së bërë publike në faqen e Kryeministrisë ruse, ndërprerja e bashkëpunimit në kërkimet bërthamore vjen si pasojë e sanksioneve që SHBA kanë vënë kundër Rusisë, lidhur me ndërhyrjet në Ukrainë.

Tv Klan