Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, zhvillon sot vizitë zyrtare në Shqipëri.

Ish-Kryeministri britanik do të pritet rreth orës 11:00 të paradites nga ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Rreth orës 12:00 është parashikuar pritja dhe takimi me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama në kryeministri, ku më pas do të zhvillojnë së bashku edhe një konferencë për mediat.

Në këtë vizitë 1 ditore, Sekretari Britanik do të takojë edhe kreun e shtetit Bajram Begaj, në orën 14:30.

Sipas ambasadës britanike në Tiranë, kryediplomati Cameron do të shpallë një program të ri për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Ai ka në plan për të deklaruar edhe një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të kontrabandës me shqiptarët që ende vijojnë të synojnë kalimin illegal drejt Britanisë së Madhe, thuhet ndër të tjera në njoftimin e ambasadës.

/tvklan.al