Të gjithë të ulur në karriget e tyre, majtas e djathtas dhe që debatojnë për procedurën dhe çështjet në rendin e ditës.

Seanca plenare këtë të enjte ofroi pamjet normale që në sallën e parlamentit mungonin prej afro 6 muajsh. Kjo pas dakordësisë së arritur mes shumicës socialiste dhe grupimit demokrat Bardhi-Berisha.

Dakordësi që siç e dëshmoi personalisht nuk e ka lënë aspak të kënaqur Lulzim Bashën. Ajo që i duket e papranueshme është fakti që Komisioni bipartizan i Reformës Zgjedhore që i përfundon mandati pikërisht ditën e sotme, nuk do të mund të dalë me një produkt final ku të përfshihen propozimet që bashkëkryetari i tij i ka depozituar në Kuvend.

“Hiqni dorë për një moment nga axhendat tuaja të ngushta partiake dhe jepuni shqiptarëve deri në fund të këtij muaji një komision të Reformës Zgjedhore”, tha Basha.

Por kreu i grupit kuvendor socialist i kujtoi Bashës se fajtor për dështimin e atij komisioni bipartizan është vetë grupimi i tij, që i imponohet shumicës me propozime të papranueshme.

“Çfarë komisioni bipartizan, konsensual mund të ngrihet kur pakica vjen me një draft dhe thotë këto janë kushtet tona po dojini merrini, po dojini lërini?”, tha Çuçi.

Ndërsa grupimi i Gazment Bardhit që tanimë do të japë kontributin e tij për Reformën Zgjedhore përmes mekanizmit të ri brenda Komisionit të Ligjeve, bën përgjegjës të dy palët për dështimin e Komisionit të Reformës Zgjedhor, një ndër më jetëgjatët e llojit të tij në historinë e parlamentit.

“Në një kohë të shkurtër t’u japim qytetarëve një reformë kuptimplotë, jo një tallje me teza jenishehrësh që kthehen sa herë dikush ka nevojë për t’u bërë deputet”, tha Bardhi.

Por Lulzim Basha këmbënguli disa herë që reforma të përmbyllet nga komisioni bipartizant, duke bllokuar dhe foltoren e Parlamentit. Kjo i kushtoi përjashtimin nga seanca.

Pas 5 minutash pushim Basha e liroi foltoren, ndërsa grupimi i tij braktisi seancën. E mbrojti qëndrimin e tij dhe jashtë sallës së parlamentit, kur nga goja e tij dolën shumë fjalë kundër paktit Çuçi-Bardhi.

Tv Klan