VMRO-DPMNE kundër do ta “luftojmë” me amendamente

VMRO-DPMNE është kundër ligjit me të cilin shfuqizohet lustrimi. Me ligjin e ri parashihet të mënjanohen pasojat e dëmshme për personat që kanë qenë viktima të procedurave të lustrimit para gjykatave kompetente dhe për ta parashihet dëmshpërblim. Nga opozita thonë se me amendamente do të përpiqen ta bllokojnë këtë ligj.

“Fëmijët e “spiunëve” po i amnistojnë paraardhësit e tyre. Me LSDM-në Maqedonia bëhet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka lustrim të spiunëve të regjimit komunist. Maqedonia është vendi i vetëm në Evropë, ku spiunët, në vend që të gjykohen do të marrin mjete nga shteti”.

Seanca e Komisionit Parlamentar për Sistem Politik, ku do të debatohej ligji i ri i lustrimit, është anuluar për shkak të mungesës së kuorumit. Kryetari i këtij Komisioni Aleksandar Kiracovski ka paralajmëruar një koordinim mes partnerëve të qeverisë LSDM-BDI, por i bëri thirrje opozitës që të reflektojë rreth ndryshimeve ligjore.

“I bëj thirrje VMRO-DPMNE-së që bashkë t’i përmirësojmë padrejtësitë që janë bërë gjatë kohës së regjimit të Gruevskit. U kërkoj falje për padrejtësitë atyre që ishin lustruar e nuk kishte nevojë. Përmes shfuqizimit të lustrimit në njëfarë mënyre do ta përmirësojmë padrejtësinë”.

Nga viti 2009 deri në vitin 2015,0 në Maqedoni ish-funksionarët shtetërorë ishin kontrolluar nëse kanë bashkëpunuar me shërbimet e sigurisë. Para dy viteve Komisioni për Lustrim ishte shfuqizuar. Gjatë punës gjashtë vjeçare, ky komision shpalli si “spiunë” rreth 200 persona. Thuajse gjysma prej tyre kishin ndërruar jetë.

Tv Klan