Sinoptikanët: Reshjet do të vijojnë gjatë gjithë javës

Kjo ishte pamja e fshatit turistik të Dardhës mëngjesin e kësaj të marte. Ditët e ngrohta të fillim marsit nuk zgjatën dhe reshjet e dëborës u rikthyen në juglindje në lartësitë mbi 1 mijë metër. Në Dardhë trashësia e dëborës shkon deri në 5 centimetra, por rruga drejt fshatit turistik është e hapur dhe qarkullohet normalisht.

E njëjta pamje edhe në qarkun e Dibrës, ku dëbora ka zbardhur sërish qytetin e Peshkopisë. Në zonat e thella trashësia shkon deri në 15 centimetra. Megjithatë Rrugët janë të gjitha të lira dhe nuk janë shfaqur probleme.

Edhe lartësitë e Shkodrës u përfshinë nga reshje dëbore. ARRSH njofton se akset rrugore Hani i Hotit-Tamarë dhe Bogë-Theth kanë prani dëbore.

Sipas sinoptikanëve kjo situatë e motit me reshje shiu dhe dëborë do të na shoqërojë gjatë gjithë javës.

Temperaturat kanë zbritur në -2 në zonat malore ndërsa maksimalja dot të jetë jo më shumë se 18 gradë. Për sinoptikanët, kjo situatë moti me temperatura të ulëta e reshje dëbore është normale për muajin mars.

Tv Klan