Qyteti i Gjirokastrës u trondit mëngjesin e kësaj të mërkure, nga një vrasje e dyfishtë. Ishte ora 07:25 minuta, kur Apostol Kosta vrau me armë dy bashkëshortët, Afërdita dhe Aleko Kosta.

Krimi makabër ndodhi në shtëpinë e tyre, në lagjen “Palorto”.

Pasi qëlloi bashkëshortët Kosta, 70 – vjeçari e drejtoi armën nga vetja duke mbetur i plagosur.

Por kush ishin Afërdita dhe Aleko Kosta?

Burime për

tvklan.al

thonë se 49 – vjeçarja ishte mësuese filloreje, nënë e një djali 19  – vjeçar, i cili ndodhej në shtëpi kur ndodhi ngjarja e rëndë. Djalin, ajo e kishte nga një martesë e mëparshme.

19 – vjeçari është student infermierie në qytetin e Gjirokastrës.

Me 61 – vjeçarin Aleko, mësuese Afërdita kishte rreth 5 vjet martesë. Ata kishin një marrëdhënie të veçantë, të cilën do ta rrëfenin edhe në emisionin “Ka një mesazh për ty”,  tek “E Diela Shqiptare” një vit më parë.

Vetë Aleko ndante një pasion dhe talent të veçantë për saksofonin.

Sa i përket autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë, Apostol Kosta, ai është djali i xhaxhit të Alekos dhe punonte si shofer në spitalin e Gjirokastrës. Ai ndodhet momentalisht në Reanimacion, jashtë rrezikut për jetën.

Vrasja e çiftit Kosta erdhi për shkak të një muri rrethues që ndodhej në shtëpinë e tyre.

/tvklan.al