viktimat klan hd

Një ditë pas masakrës në Bulevardin Zogu i Parë ku u vranë 3 persona policia e Tiranës ka zbardhur detaje të reja dhe ka bërë publike edhe fotot e viktimave.

Mentor Lufi, 39 vjeç dhe Gerti Goxhaj, 33 vjeç, u ekzekutuan nga Besnik Sulku, që u vra nga nipi i Lufit, Markeljan Doçi.

Lufi besohet të ketë qenë shenjestra e atentatit. Ai dhe Gerti Goxhaj ishin prej kohësh në ndjekje nga Besnik Sulku.

Shtetasit italian Salvatore Letizia, bashkëpunëtorit të tij në këtë atentat, Sulku, i kishte dhënë fotot e dy viktimave pak përpara atentatit, që t’i njihte ata dhe të mos gabonte shenjestër.

Sulku dhe miku i tij italian, pasditen e së mërkurës kishin ndjekur çdo lëvizje të viktimave duke përdorur një motorr skuter. Mjeti u gjet afër vendit të antentatit.

Italiani Leticia, banues në Napoli, kishte mbërritur ditën e djeshme në Tiranë.

Burime nga blutë e Tiranës konfirmojë se napoletani njihte edhe vëllanë e Besnikut, Durimin, që u vra në prill të këtij viti në Roterdam të Hollandës.

Të njëtat burime saktësojnë se ai kishte ardhur në Tiranë për një ceremoni që do të mbahej nga familja Sulku në kujtim të Durimit.

Ekzekutimin e Mentor Lufit besohet se ata kishin kohë qe e kishin planifikuar. Pista kryesore mbetet ajo e hakmarrjes. Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka marrë në dorë dosjen po përpiqet të sqarojë lidhjet  mes italianit dhe vëllait të Besnik Sulkut që u vra në prill në Roterdam.

Hetuesit dyshojnë se vrasja është bërë për t’i marrë hakun Durim Sulkut.

Italiani nuk ka pranuar përpara grupit hetimor se ka marrë pjesë në krim. Grupi hetimor nuk përjashton as pistën e prishjes së pazareve të drogë në Hollandë duke qënë se të gjitha viktimat, por edhe shtetasi italian kanë qenë të dënuar më parë për trafik të lëndëve narkotike.

Në pyetje hetuesit do të marrin dhe dy nipat e arrestuar të viktimës Mentor Lufit. Markeljan Doçi dhe Klevis Doçi. Ata u arrestuan në flagrancë pasi dyshohet se kanë vrarë Besnik Sulkun.

Ndërsa mbi Gerti Goxhaj dhe Mentor Lufi dyshohet se kanë qëlluar si Besnik Sulku ashtu dhe Salvatore Letizia.

Tv Klan