Është vrarë me thikë nga dhëndri i tij, kryeredaktori i gazetës “Yeni Akit” në Turqi.

Agjencia turke e lajmeve “DHA” tha se gazetari Kadir Demirel është therur me thikë nga dhëndri i tij, në Basaksehir, Stamboll.

Pre e sulmit ka rënë edhe vajza e tij, bashkëshortja e autorit, Esma Karanfil, e cila ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spital.  

Arsyet e këtij krimi në familje nuk dihen ende, por media turke raporton se krimi ka ndodhur në shtëpinë e vajzës së Demirelit. Pas fjalosjes mes palëve si pasojë e papajtueshmërive mes çiftit, dhëndri ka vrarë me thikë vjehrrin dhe ka plagosur rëndë të shoqen, e cila kishte hyrë në mes.  

Autori i krimit Cemil Karanfil është larguar nga vendngjarja dhe policia po punon për kapjen e tij.

Demirel u emërua në postin e kryeredaktorit të gazetës “Yeni Akit” në mars të vitit 2016. Ai erdhi  në postin e lënë bosh nga Hasan Karakaya, i cili humbi jetën pas një ataku në zemër.

56-vjeçari Kadir Demirel ka punuar si gazetar në shumë gazeta turke që prej vitit 1980.

“Yeni Akit” njihet si një gazetë shumë konservatore në Turqi dhe mbështetëse e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. /tvklan.al