Detyrimin për tu licencuar për të ofruar shërbime në turizëm tashmë e kanë edhe ata që lëshojnë dhoma, apartamente dhe vila me qera nëpërmjet platformave online, booking apo Airbnb.

Sipas ndryshimeve ligjore të ligjit për turizmin të publikuar në fletoren zyrtare, përcaktohet se sipërmarrësi turistik, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, brenda 30 ditëve nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit, paraqet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi.

Dhe këtë detyrim e kanë të gjithë individët qiradhënës për kategoritë “Apartament”, “Vilë” ose “Dhomë”. Certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese është pa afat dhe regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit.

Çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin të kryejë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat për numrin e vizitorëve, netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën.  

Sipas ligjit të publikuar në fletoren zyrtare, pjesë e strukturave akomoduese veç hoteleve, moteleve, resorteve, kampingjeve apo agroturizmet, përfshihen edhe apartamentet që ofrohen nga qytetarët për akomodimin e turistëve që kanë në përbërje një dhomë, kuzhinë dhe të paktën 1 tualet.

Po ashtu pjesë e listës jenë edhe bllok apartamentesh që menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik. Ligji parashikon edhe kundravajtje administrative nëse ushtrohet veprimtaria pa certifikatë kategorizimi, e cila varion në bazë të numrit të dhomave, duke nisur nga 20 mijë Lekë, dëri në 400 mijë Lekë për subjekte me mbi 80 dhoma.

Asnjë subjekt nuk do lejohet të japë dhomë apo apartament me qira për turistët nëse s’ka licence të posaçme nga Ministria e Turizmit, mungesa e kësaj licence dënohet me 200 mijë Lekë gjobë. Në vitin 2023, numri i strukturave me qira ditore në dy platformat ndërkombëtare booking dhe Airbnb arriti në mbi 24,900 apartamente/banesa. Ndryshimet e reja ligjore hyjnë në fuqi 15 ditë nga botimi në fletorën zyrtare.

Klan News