Për herë të parë në afro një dekadë, vetëm pak ditë pasi stuhitë e forta diellore goditën Tokën duke krijuar fenomenin që njihet si “Aurora Borealis” ose dritat veriore, dielli ka lëshuar valën më të madhe të zjarrtë.

Vala e flakës diellore shkaktohet nga një shpërthim intensiv rrezatimi që vjen nga çlirimi i energjisë magnetike që lidhet me ato që njihen si njolla në sipërfaqen diellore.

Ky është shpërthimi më i madh i këtij cikli 11-vjeçar të diellit, që po i afrohet kulmit, sipas Administratës Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën. Lajmi i mirë është se kësaj here planeti ynë është jashtë trajektores së valës magnetike, sepse shpërthimi ndodhi në një pjesë të sipërfaqes së diellit në drejtim të kundërt të Tokës.

Observatori i Dinamikave Diellore, i NASA-s, e vlerësoi shpërthimin e ndritshëm të rrezeve X, si më të fuqishmin që nga viti 2005. Administrata Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën ka bërë të ditur se kur shkencëtarët të mbledhin të dhënat edhe nga burime të tjera, mund të rezultojë që vala e zjarrtë magnetike të ketë qenë edhe më e fortë.

Kjo vjen pas gati një jave çlirimesh të valëve magnetike masive nga atmosfera e jashtme e diellit, që njihet si Korona. Korona çliron kryesisht dritë në formë rrezesh X dhe ultra vjollcë. Vala magnetike përbënte rrezik për rrjetin e komunikimit në tokë dhe orbitë si dhe për sistemin energjetik.

NASA tha se stuhia gjeomagnetike e fundjavës bëri që një nga satelitët e saj mjedisorë të rrotullohej papritur për shkak të uljes së lartësisë si rezultat i stuhisë hapësinore dhe të aktivizonte sistemin e vetëmbrojtjes për rrethana të tilla.

Klan News