Turizmi në Shqipëri është një temë që po ndiqet me shumë interes nga mediat spanjolle. Për median spanjolle “Dimensión Noticias” ekziston një destinacion në kontinentin evropian ku çmimet janë aq të ulëta sa udhëtarët e huaj do të surprizohen për mirë.

Shqipëria konsiderohet nga kjo e përditshme si një vend ideal për udhëtarët me buxhet të limituar. Udhëtarët e huaj këtu do të mund të shijojnë kulturën vendase pa vuajtur pasojat e kostove të larta.

E vendosur në zemër të Evropës, Shqipëria njihet për historinë e saj të pasur, arkitekturën mbresëlënëse dhe kuzhinën e shijshme përshkruhet nga media spanjolle. Përveç kësaj, ky destinacion ofron një shumëllojshmëri të gjerë aktivitetesh duke ju përshtatur në këtë mënyrë çdo lloj udhëtari.

E vetmja gjë që ngelet të bëjnë udhëtarët e huaj që janë në kërkim të një destinacioni të përballueshëm është që të përgatisin valixhet dhe të zbulojnë gjithçka që ofron vendi ynë.

Ndërsa media tjetër spanjolle “El Correo” thotë se Shqipëria ka zona ideale për ata që duan të pushojnë ose që preferojnë të shohin peisazhe të vargmaleve si në kartolina.

Përmend Alpet Shqiptare në ver  ku spikat rruga ndërmjet fshatrave Vallbonë dhe Theth, një shteg i vështirë rreth 15 kilometra i gjatë. Vëmendje të veçantë i kushton edhe rivierës shqiptare ku thekson se qytete si Saranda, Ksamili apo Dhërmiu ofrojnë plazhe me rërë dhe ujëra të kaltra të ngjashme me Ishujt Karaibe.

Sa i përket udhëtarëve që duan të vizitojnë vendet historike qyteti i Beratit është pasqyra më e mirë e arkitekturës osmane në vendin tonë. Kishat dhe xhamitë alternohen në çdo hap, duke fshehur brenda afreske dhe ikona bizantine të punuara bukur. Pjesë e listës së vendeve të trashëgimisë botërore është edhe qyteti i Gjirokastrës.

Klan News