Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk ka lënë pa ndëshkuar dhunën që u shfaq në disa ndeshje gjatë fundjavës së kaluar në Dibër, Pogradec dhe Tiranë.

I mbledhur këtë të mërkurë, Komisioni ka përjashtuar për një vit nga hyrja në të gjitha stadiumet Presidentin e Kastriotit, Alban Vogli dhe të afërmin e tij Gazmend Vogli.

Për ta është vënë edhe një gjobë prej 150 mijë lekësh të reja, pas akteve të dhunës në ndeshjen me Korabin.

Alban Vogli ndodhet në gjendje arresti, pas goditjes se gazetarit Eduard Ilnica.

Edhe klubi i dibran i Korabit është dënuar me ndalimin e zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin e qytetit të Peshkopisë, për sezonin 2016 – 2017.

Pogradeci është dënuar të luajë 4 javë pa spektatorë ndërsa dënime kanë marrë edhe disa zyrtarë dhe disa lojtarë të këtij klubi.

Me një vit përjashtim nga aktiviteti është dënuar edhe lojtari i Tiranës Gentian Muça, për nxitje publikisht të urrejtjes në fund të ndeshjes me Partizanin.

Tv Klan