Lajme Arkiva 2003

Një produkt i krijuar për të vrarë nuk mund të jetë kurrë një send i bukur. Cigarja është vetëm një shkop që përmban katranin, por në gojën e një aktori ekranesh ajo merr vlera të fuqishme.

“Film pa duhan, modë pa duhan” është mesazhi i ditës botërore në luftë kundër tij. Organizata botërore e shëndetit i bën thirrje mbarë industrisë, botës së filit dhe modës të ndalojnë promovimin e këtij produkti.

Çdo vit 5 milionë njerëz përdorues të duhanit ndahen nga kjo botë. Konsumatorë të tij janë mbi 1 miliardë njerëz në botë, ku 1.2 milionë raste në vit diagnostifikohen nga kanceri në mushkëri. Nga ana shëndetësore gjysma e duhanpirësve të rregullt vriten nga duhani duke humbur 16 vite jetë, meqë mesazhi i sivjetëm është “film pa duhan”, aktori i skenës shqiptarë Ndriçim Xhepa është bërë pjesë e kësaj lufte, si një braktisës i tij  ai shpjegon momentet kur duhani shfrytëzohet në skenë.

Ndriçim Xhepa: Edhe vetë në filma regjisorët  në shumë momente me bashkëngjitje me aktorët kur ka raste që nuk kanë si ta mbushin mizanskenën, të krijojnë një plotësim, një kuptimshmëri gjithë gjendjes së brendshme të aktorit, ka raste që në mënyrë krejtësisht të jashtme përdorin, ose i rekomandojnë aktorit cigaren, ose vetë aktori për tu ndihmuar në sensin e interpretimit kërkon edhe njëherë ndihmë të cigarja, për të pasqyruar gjendjen e brendshme të rëndë apo të sikletshme brenda momentit që ka personazhi. Kam përshtypjen se edhe në sensin profesional, krejt thjesht aktori mundet ti kalojë këto gjëra pa pasur nevojën e cigares në dorë.

Në Shqipëri ka 878 mijë duhanpirës. 60% e zënë meshkujt dhe 18% femrat. Çdo ditë produktet e duhanit shkaktojnë një humbje ekonomike globale 200 miliardë dollarë, 1/3 e cigareve në të gjithë botën janë kontrabandë. Rritja e çmimit nëpërmjet rritjes së taksave është rruga me kosto më efektivë për të reduktuar konsumin e duhanit./tvklan.al