Doganat mbledhin taksa nga pikat në veri, por kontrabanda vazhdon

Rreth 5 milionë euro është shuma e mjeteve vjetore të grumbulluara në vendkalimet kufitare në pjesën veriore të Mitrovicës nga pagesat e taksave doganore për mallrat që importohen nga vendet e ndryshme të Evropës, dhe më saktësisht nga Serbia, në Kosovë.

Kështu thonë zyrtarë të Doganave të Kosovës, sipas të cilëve kjo është dëshmi e uljes së kontrabandës në atë pjesë.

Kjo pjesë, me vite nga ekspertë për çështje ekonomike është konsideruar “oazë e kontrabandës” pasi pas shpalljes se pavarësisë se Kosovës në vitin 2008, deri në dhjetor të vitit 2013, doganat e Kosovës nuk kanë pasur qasje në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në Jarinjë dhe Bërnjak.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nga viti 2013 e deri më tani, nga pikat doganore në atë pjesë janë mbledhur mbi 15 milionë euro.

“Kryesisht, mallrat që kanë destinacion atë pjesë, si në çdo pikë tjetër kufitare, zhdoganohen edhe në ato dy pika. Faktikisht prej rivendosjes së Doganës që nga viti 2013, kemi mbledhur mbi 15 milionë euro nga ato dy pika” ka thënë Stavileci duke treguar se të hyrat e përgjithshme të Doganave të Kosovës, për vitin që lamë pas, kanë arritur mbi një miliard euro.

Kthimi i oficerëve doganier në ato dy pika e ka sjellë një stabilitet të qarkullimit të të hyrave, thotë ish drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, por megjithatë, shprehet ai, kontrabanda ende vazhdon.

“Tani rritja e këtij inkasimi, lë shumë për të dëshiruar, për shkak se rrethanat që janë atje lart, pa u bërë një fiskalizim i plotë i pjesës veriore, në kuptimin që të gjitha kompanitë të deklarojnë drejtë shitjen e tyre, do të jetë vështirë që gjithë fokusi të mbetet vetëm në vendkalimet e kufitare”.

Pavarësisht rritjes së inkasimit të mallrave në dy vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, disa rrugë alternative në këtë pjesë vazhdojnë të shfrytëzohen për kontrabandim të mallrave, kryesisht nga shteti i Serbisë.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Kosovës, Besim Hoti, ka thënë se me gjithë angazhimet për parandalimin e kontrabandës, shprehet se hyrja e mallrave në mënyrë ilegale në këtë pjesë zhvillohet për shkak të terrenit kodrinoro -malor.

 “Përkitazi më këtë, ne duhet të bëjmë përpjekje edhe më të mëdha, sepse gjithmonë ekziston një mundësi që individë për qëllime të caktuara dhe momente të caktuara të bëjnë kontrabandimin e këtyre mallrave. Normalisht që ne edhe gjatë vitit që lamë pas kemi regjistruar disa nga këto raste dhe të gjitha këto i kemi adresuar në Doganat e Kosovës për procedurë të mëtutjeshme”, tha Hoti.

Çështja e kontrabandimit dhe njëkohësisht edhe evazionit fiskal nuk është problematike vetëm në pjesën veriore të vendit, ku autoritetet e Kosovës kanë më pak qasje që prej afro dy dekadash.

Vetë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vitit 2015, pati thënë se nga ekonomia joligjore 400 deri në 500 milionë euro nuk arkëtohen gjatë vitit në arkën e shtetit. (REL)

Kategori
KosovaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione








Të Lidhura