Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përgjigjes së dhënë nga prezantuesi i emisionit “Report” në Rai 3, Sigfrido Ranucci dhe letrës së publikuar prej tij të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, emri i të cilit u përmend nga emisioni investigativ gjatë një reportazhi për marrëveshjen e emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë.

Në një postim në italisht në rrjetet sociale, duke iu referuar këmbënguljes së Ranuccit se faktet e dhëna në emission janë të vërteta dhe të bazuara në dokumente, Rama thotë se kjo është djallëzore, pasi mbi sekretarin Agaci eshte hedhur balte padrejtesisht.

Gjyshja ime, e cila më mësoi italisht më thoshte shpesh se të gabosh është njerëzore, por të ngulmosh është djallëzore. Ajo që më kujton tani është ky gabim tjetër nga emisioni “Report” në Rai Tre, gazetari i të cilit ngulmon në mënyrë të bujshme me të njëjtat gënjeshtra të përfshira tashmë në episodin e neveritshëm për Shqipërinë. Në të thuhet se sekretari i përgjithshëm i Kryesisë së Këshillit Shqiptar “e ka vërtetuar me fakte atë që kemi thënë”! Fatkeqësisht, në episodin që ai mbron pa dobi, jo vetëm që nuk u fol për pyetjen e kryqëzuar me shkrim të viktimës së sulmit brutal, por para auditorit të “Report” i’u tha se sekretari Agaçi nuk pranoi të përgjigjej. Sikur të mos mjaftonte kjo gënjeshtër e bujshme, gazetari i tij doli të nesërmen në një televizion shqiptar për të ripërsëritur habinë e tij për faktin se pyetjeve të tij nuk u ishte përgjigjur kurrë, ndërsa siç tregojnë faktet ai i kishte marrë të gjitha përgjigjet me shkrim dhe brenda afatit që kishte kërkuar”.

Rama shkon më tej në akuza kur thotë se “Report” konfirmoi gënjështrën se Agaci në e-mailin dërguar emisionit italian kishte shërbyer si avokat i disa narkotrafikantëve.

Nëse ky është shërbim publik, unë jam Federico Fellini. Dhe nëse për këtë program të Shërbimit Publik një avokat penal nga një shtet ligjor, i cili si rregull nuk jeton duke mbrojtur shenjtorët, por duke mbrojtur supozimet kriminale ose kriminelët e dënuar, prandaj duhet të sulmohet sikur të ishte vetë një kriminel, kështu që këtu për të gjetur një logjikë të ngjashme është e pashmangshme t’i drejtohemi kujtimit të Shqipërisë kur figura e avokatit mbrojtës u varros nga regjimi gjakatar komunist si lebrozët në mesjetë. Dhe kulmi vjen, gazetari thotë, sikur të kishte bërë një zbulim befasues, se Agaçi “konfirmoi se ka kontribuar, që kur u bë këshilltar ligjor i Ramës, për zbatimin e protokollit” për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë, duke përdorur edhe pak logjikë bruto, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk është këshilltari im ligjor, por ai ka mbajtur postin më të rëndësishëm institucional në Administratën Publike që nga viti 2013 ndërsa protokolli daton në vitin 2023”.

Pas shpifjeve që thotë se ka ndërrmarrë Rai 3, sheh një furi sulmi ndaj Kryeministres italiane Giorgia Meloni.

“Për respekt të Shërbimit Publik dhe gjithashtu si një detyrim ndaj dinjitetit të autorëve të këtij episodi shumë të gabuar të “Report”, për momentin përpiqem të besoj se gjithsesi i gjithë kjo furi për të sulmuar Giorgia Melonin në kurriz të Shqipërisë nuk ishte një mëkat me keqbesim ndaj vendit tim dhe se edhe përfshirja e shpifjeve nga Shqipëria në Itali, (duke përfshirë në punët e Shërbimit Publik edhe shpifjet ndaj vëllait tim kundër të cilave ai tashmë kishte bërë ankesë dhe pret fjalën e drejtësisë) ndodhi vetëm si rezultat i një lehtësie të padurueshme të qenies që gjithnjë e më shpesh në kohët e sotme fatkeqësisht pushton fuqinë fisnike të informacionit dhe e shndërron botën e së drejtës për lirinë e informacionit në një botë të shtypjes së lirive dhe të drejtave të njeriut”.

Komentin e gjatë në rrjetet sociale, Edi Rama e mbyll me një këshillë drejtuar gazetarit italian, duke e ftuar të mos ngulmojë në gabimin e tmerrshëm të shpifjeve, ndërkohë që pas publikimit të emisionit “Report” Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi paralajmëroi një padi ndaj emisionit investigativ italian.

Në reagimin e tij të një dite më parë, Ranucci thotë se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ka pasur rol kyç në marrëveshjen për emigrantët dhe se me përgjigjet e tij ka konfirmuar me fakte atë që u tha në emision se ka qenë avokat i disa narkotrafikantëve kur punonte në Itali në studion e tij ligjore dhe paralajmëron se të dielën e ardhshme programi do t’i rikthehet sërish kësaj çështje.

Tv Klan