Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë dosjen ndaj ish-kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Në dosjen e hartuar nga prokurori Enklid Gjini, ai akuzohet për “Falsifikim të vulave, stampave apo formularëve”. Bëhet fjalë për formularin e dekriminalizimit të plotësuar nga Roshi, për të cilin Prokuroria thotë se janë fshehur dënime të dhëna jashtë vendit.

Nga hetimet e rezultoi se i zgjedhuri i Kavajës nuk kishte deklaruar një dënim të dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për një përdhunim të kryer në vitit 1995 në Campobasso.

Po ashtu, ai nuk kishte deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit.

Sipas Prokurorisë Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar.

Prokuroria thotë se ka siguruar informacione se Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës.

Më 29 dhjetor 2016 KQZ vendosi ndërprerjen e mandatit për kryebashkiakun ndërsa u shkarkua nga kryeministri Rama. Roshi e apeloi vendimin në Gjykatën kushtetuese, por pretendimet e tij nuk u morën parasysh.  

Tv Klan