Prokuroria për Krime të Rrënda merr në pyetje gjyqtarë, avokatë, drejtues të Hipotekave, profesorë, zyrtarë të administratës, punonjës policie, tregtarë e persona të tjerë, për llogari të dosjes së Emiljano Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të bandës së tij.

ABC News ka mësuar se dy prokurorët, Elisabeta Imeraj e Ened Nakuçi, të cilët prej muajsh po hetojnë bëmat e Emiljano Shullazit, për llogari të këtij hetimi kanë nisur marrjen në pyetje të personave të ndryshëm, me cilësinë e dëshmitarëve. Burimet thonë se në prokurori janë pyetur drejtues të Hipotekës së Tiranës e Durrësit, në lidhje me regjistrimin dhe çregjistrimin e ish-hotel Vollgës, të cilët dyshohet se kanë marrë kërcënime nga persona të ndryshëm. Për llogari të dosjes, mësohet se janë pyetur edhe gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, ish-kancelarë e sekretare gjyqësore, që kanë kryer veprimet në lidhje me ish-hotel Vollgën.

Në prokurori, burimet thonë se janë pyetur edhe avokatët, mes tyre edhe ish-mbrojtësi i Ylvi Beqajt, i cili e ka prezantuar këtë të fundit me Emiljano Shullazin, për të zgjidhur problemin e proceseve gjyqësore për regjistrimin e ish-hotel Vollgës në Durrës. Me cilësinë e dëshmitarëve, janë pyetur në prokurori edhe punonjës të ndryshëm të administratës mes tyre edhe punonjës policie, që kanë kryer veprimet paraprake për hetimin e Emiljano Shullazit.

Për llogari të këtyre hetimeve, mësohet se prokuroria ka pyetur edhe profesor të njohur, të cilët kanë qenë bashkë me professor Mynir Koni, në momentin kur ky i fundit është kanosur për tu tërhequr nga gara për rektor të Universitetit të Tiranës. Nuk jepen detaje për dëshmitë e tyre në prokurori, por burimet thonë se rrethi i  personave që do të pyetën është zgjeruar për shkak të detajeve, që këta dëshmitar kanë dhënë para hetuesve.

Veç këtyre, burimet thonë se janë pyetur edhe disa tregtarë që kanë akuzuar dëshmitarin e mbrojtur të drejtësisë Ylvi Beqja, se i detyrohet shuma të mëdha parash. Edhe vet Ylvi Beqja, gjatë dëshmisë së dhënë para gjykatës ka pretenduar se shtetasi Ervis Martinaj, është personi që I ka ofruar 7 mln euro për të tërhequr dëshminë ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkë të pandehurve të tjerë. Veç ofertës për tu tërhequr, Beqja ka pretenduar se Martinaj ka detyruar edhe tregtarët të dalin publikisht të akuzojnë atë për borxhe.

Për të gjithë emrat që Beqja ka përmendur në gjykatë, gjatë sigurimit të provës, burimet thonë se do të pyetën nga prokuroria për llogari të dosjes ku Emiljano Shullazi dhe të dyshuarit e tjerë akuzohen për “gjobëvënie” dhe kanosje” në bashkëpunim.