Në Bashkinë Fier po vijon me intensitet puna për ndërtimin e stacionit të ri modern të zjarrfikëseve. Investimi që konsiderohet i rëndësishëm synon forcimin e kapaciteteve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri, sipas të gjitha standardeve europiane.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, së bashku me kryetarin e Bashkisë Armando Subashi panë nga afër punimet. Ministri Balla tha se investimet në infrastrukturë do të shoqërohen me masa të tjera, për rritjen e cilësisë në burimet njerëzore, duke ofruar të rinj të trajnuar në këtë shërbim.

“Kemi kapacitete që 10 zjarrfikës të qëndrojnë këtu në gadishmëri. Përzgjedhja e punonjësve të shërbimit zjarrfikës nuk vazhdon më siç ka qenë më përpara, ne do të zgjedhim të jenë të rinj, të përgatitur edhe në aspektin fizik edhe në aspektin profesional dhe do t’i çojmë për trajnim te Akademia e Sigurisë për t’u trajnuar për të qenë gati. Janë dy shërbime publike, shërbimi i transportit rrugor, shërbimi zjarrfikës dhe shpëtimit, dy shërbime të rëndësishme publike”, u shpreh Balla, i cili është njëkohësisht drejtues politik në qarkun Fier./tvklan.al