avioni

Grupi i trafikantëve shqiptarë të kanabisit i cili do ta trasportonte me avion drejt italisë shfrytëzonte tokat pa pronar në zonën e lumit të Vlorës. Të dhënat i janë referuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga autoritetet italiane, të cilat kanë mbajtur nën vëzhgim prej muajsh grupin kriminal.

Përgjimet e Prokurorisë për Krimet e Rënda tregojnë se janë kultivuar sasi të konsiderueshme hashashi. Madje në to ka roje dhe persona që kujdesen për ujitjen e parcelave. Disa nga zonat e identifikuara nga përgjimet si të mbjella me kanabis-sativa janë tri fshatra të Vlorës dhe toka përgjatë rrjedhës së lumit Shushicë. Ende nuk dihet sipërfaqja e saktë e  mbjellë për llogari të të arrestuarve, por konfirmohet se policia ka sekuestruar vetëm 387 rrënjë kanabis.

I angazhuar drejtpërdrejt si personi që kishte nën kujdes mbrojtjen e parcelave ishte shtetasi Sokol Lamaj, i cili kishte ndryshuar mbiemrin për shkak të problemeve që ai kishte pasur më parë me drejtësinë italiane. Sokol Lamaj është vënë në dijeni nga “roja” i hashashit se më datë 19 gusht, policia kishte shkuar pranë parcelave të tij të hashashit dhe menjëherë ai ka kontaktuar Vladimir Zanajn, shefin e Burimeve njerëzore në Policinë e Vlorës, të cilit i ka kërkuar se si mund të zgjidhej situata. Zanaj i ka thënë se do të interesohej ai.

Në total Sokoli dhe Vladimiri kanë patur mes tyre tre biseda, përmbajtja e të cilave është sekrete. Kjo për shkak të dyshimeve që mund të këtë dhe zyrtarë të tjerë të policisë Vlorë të përfshirë në këtë histori. Nga përgjimet e policisë italiane dhe ato të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë zbardhur edhe pseudonimet që përdornin të dyshuarit.

Kështu, Vilson Lamaj, piloti i avionit që transportoi 130 kilogramë kanabis nga Shqipëria në Itali, thirrej me nofkën “Willi”, ndërsa kushëriri i tij, Kleo Lamaj njihej me nofkën “Keli”.

Sipas Prokurorisë, pseudonimet e Bukurosh Këshillit ishin “Dobiçi” dhe “Roshi”, ndërsa Fatos Burhamaj njihej me nofkat “Poma” ose “Lushi”. Nga bisedat e përgjuara dyshohet se mes vëllezërve Lamaj dhe shtetasit Fatos Burhamaj ka lindur konflikt, që ka të bëjë me angazhimet financiare brenda grupit kriminal.

Tv Klan