Sarandë/ Një ditë pas sekuestrimit të 67 kilogramëve kanabis dhe arrestimit të 3 personave, të cilët po tentonin ta kalonin drogën drejt Greqisë, autoritetet kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim një tjetër person të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe kanë vënë në pranga edhe babain e këtij të fundit.

“Në vijim të punës për dokumentimin e rastit, ku tre shtetas shqiptarë, në tentativë për të trafikuar lëndë narkotike në shtetin grek, u arrestuan falë bashkëpunimit dhe punës së mirorganizuar prej dy Policive Kufitare të Sarandës dhe asaj të Igumenicës, hetimet janë thelluar më tej nga të dy policitë, ajo e Sarandës dhe e Igumenicës”,

thotë policia në një njoftim të sajin

.

Kështu, policia ka shpallur në kërkim 30 – vjeçarin S. Lame, i cili kishte rrolin e transportuesit. Ai rezulton i dënuar më parë për prodhim e shitje të narkotikëve.

Pas kontrollit në shtëpinë e 30 – vjeçarit, autoritetet gjetën 1 kilogramë kanabis e për pasojë arrestuan babain e tij Fatmir Lame, 57 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje./tvklan.al