Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, finalizuan me sukses operacionin e koduar “TEBREG”, ku mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, është ushtruar kontroll territori në Njësinë Administrative Pult, fshati Plan, të Shkodrës në lagjen Tebreg dhe në territorin përreth.

Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i Marash Manit, 74 vjeç, Tomë Kronaj, 72 vjeç dhe  Lonard Kronaj, 21 vjeç, të tre banues në fshatin Plan Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Arrestimi i tyre u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në afërsi të banesave së Tom Kronaj dhe Marash Mani, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2 qese plastmasi ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa me peshë rreth 2.5 kg, si dhe në faqen e kodrës pranë këtyre banesave janë gjetur dhe asgjësuar me zjarr, 402 fidanë dhe  80 rrënjë bimë narkotike e llojit Cannabis Sativa.

Në lidhje me këtë rast, është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, një person me inicialet T. M, 61 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg” Shkodër, me detyrë administrator i Njësisë Administrative Pult, Shkodër.

Si dhe u bë shpallja në kërkim policor për P.Rr, 43 vjeç, banues në fshatin Plan, Shkodër, me detyrë kryeplak në fshatin Plan, për veprën penale “Moskallëzim i krimit.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./tvklan.al