Zhvillimet e fundit në skenën politike në Maqedoni, në veçanti ato pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar dëshmojnë sipas ekspertëve dhe njohësve të çështjeve politike, praninë e theksuar të dyfytyrësisë së politikanëve, apo cinizmin e tyre varësisht veprimit të tyre politik, të qenurit të pushtet apo opozitë.

Sipas sociologut, Gjorgji Tonovski, kritikat e VMRO-së në opozitë ndaj partive në pushtet për marrjen e borxhit prej disa milionë eurove, në kohën kur borxhi ka arritur në pesë miliardë euro, pikërisht nga qeverisja e VMRO-së, sipas Gjorgji Tonovskit, apo fushata me premtime e zyrtarëve të BDI-së në pushtet për integrimin euroatlantik të vendit kur dihet se pikërisht kjo parti ishte bashkëpjesëmarrëse në dy mandatet e fundit me VMRO-në dhe integrimi ishte larg realizimit, flasin se partitë nuk turpërohen aspak nga veprimet në të kaluarën. Sipas ekspertëve, raste të tilla ka shumë, por që nuk i shqetësojnë aspak partitë politike të cilat nuk zgjedhin mjetet të mbrojtur pushteti apo për ta marrë atë.

“Në luftën politike, shpesh herë e dimë se nuk zgjidhen mjetet për të etiketuar kundërshtarin apo për të dominuar në skenën politike. Këtu paraqiten elementet e dyfytyrësisë të vjedhjes së ideve apo të paraqitjes së ideve të cilat janë kundërshtuar pikërisht nga ana e tyre kur kanë qenë në pozitë, të kundërtën në skenën politike. Këtu nuk ka moral, nuk mbahet llogari për fjalën e thënë apo veprimin e bërë. Politikanët nuk mbajnë llogari për veprimet e bëra, interes parësor kanë veten e tyre apo një grup më të vogël të interesit, dhe jo ata që e kanë sjellë në pozitë. Hipokrizia e tyre nuk ka fund dhe kjo është dëshmuar me veprimet e deritanishme të klasës politike”, thotë sociologu Gjorgji Tonovski.

Ndërkohë, Shpëtim Pollozhani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i shoqatës së ish të përndjekurve politike shqiptar, thotë se gjendja e këtillë është pasojë e mosfunksionimit të vlerave. Ai thotë se partitë ndryshojnë qëndrimet e tyre varësisht kursit politik, por duke mos mbajtur llogari për veprimet e tyre në të kaluarën.

“Me një vend ku nuk funksionon sistemi i vlerave, atëherë në sipërfaqe dalin antivlerat. Rezultati i atyre antivlerave është se deri sa janë opozitë janë shumë të zëshëm, i gjejnë problemet apo i adresojnë problemet dhe bërtasin ditë e natë, çirren. Por, kur vijnë në pushtet atëherë e ndërrojnë terminologjinë, e ndërrojnë fjalorin dhe gjithmonë gjejnë arsyetimin duke thënë se kështu donë faktori ndërkombëtar”, thotë Pollozhani, duke shtuar se e gjithë kjo, siç shprehet ai, është pasojë e përzgjedhjes së njerëzve të dëgjueshëm në pozita udhëheqëse, të cilët parësore në punën e tyre kanë urdhrat e padronëve të tyre.

“Problemi qëndron tek humbja e kritereve dhe sistemit të vlerave. Akoma këtu votohet dhe përgjigjet kuadrot sipas sistemit feudal, njeriu i fisit, njeriu i lagjes, njeriu i partisë. Në pozita udhëheqëse apo në Kuvend, njerëz të cilët janë dëshmuar qoftë në shkencë apo biznes apo si njerëz anonim por që vlejnë si kuadro, por në shprehje vijnë militantët partiakë, të cilët janë të lidhur me krimin pasi me ndihmën e krimit vijnë në pushtet. Unë jam i bindur se çdo gjë ka fund. Është një fjalë e urtë popullore që thotë se çdo gjë ka fund, popullin mund ta mashtrosh një herë, dy herë, një mijë herë, por jo gjithmonë”, thotë Pollozhani.

Edhe Gjorgji Tonovski shpreson në ndryshimin e gjendjes, por mbetet të shihet nëse garnitura aktuale qeverisëse do të ndryshojë kursit e veprimit në përzgjedhjen e kuadrove.

“Të shpresojmë se kjo gjendje mund të ndryshojë apo se nuk do të jetë e shprehur në mënyrë drastike pasi kemi një ambient të ri, kemi paralajmërime për vendosje të një procesi të rivendosjes për çështjet shoqërore. Kemi përpjekje për freskimin e skenës politike me ide të reja, praktika të reja apo mënyra të reja në miratimin e vendimeve”, thotë Tonovski.

Ndryshimin e këtij mentaliteti, sipas ekspertëve, mund ta ndihmojë edhe përfshirja e sektorit civil, si një nga faktorët që ka luajtur rol të madh në kapërcimin e krizës politike, e që në të kaluarën, jo që nuk ishte konsultuar, por ishte objekt i kritikave dhe burgosjes së aktivistëve të tyre për shkak të kritikave adresuar pushtetit./REL