Gjeorgjia është në telashe!

Pas disa vitesh kur dukej se kishte njëfarë qetësie në vend, ky vend i vogël e i bukur mes brigjeve të Detit të Zi dhe dëborës së maleve të Kaukazit po përballet me një dilemë në rrugën e saj dhe bashkë me të, rrezikun që mund të rikthehet sërish në destabilitet politik ose madje drejt kaosit që përfshiu vendin në dekadat e para pas pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik.

Në rrezik është rruga e së ardhmes së Gjeorgjisë. A do vazhdojë ky vend kaq i rëndësishëm strategjik, me portet dhe tubacionet e gazeve, të ndjekë gjurmët e vendeve Baltike dhe të shkojë drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE? Apo trazirat politike, zgjedhjet e padrejta dhe sigurisht dora e fshehur e Rusisë do ta kthejnë Gjeorgjinë në orbitën autoritare të Moskës si Bjellorusinë?

Ka dy faktorë kyçë që nxisin ngjarje të tilla: Pushtimi i Ukrainës dhe retorika anti-perëndimore, populiste e nacionaliste që deri më tani ka rezultuar efektive dhe polarizuese në pjesë të ndryshme të Europës lindore e më tej. Që tani, Gjeorgjia, një vend i njohur për historinë e pasur dhe kulturën si dhe një dëshirë të madhe për të lidhur marrëdhëniet me Europën, që do të rrisë ekonominë dhe që do të shmangë një rikthim në luftërat separatiste dhe konfliktet e viteve ’90, po e gjen veten të ndarë në dy pjesë.

Në njërën anë qëndron një lëvizje e madhe proteste në rrugë, e dominuar nga të rinjtë dhe e karakterizuar nga entuziazmi që ka vijuar deri tek memet për prerjen e flokëve të kryeministrit e deri tek organizimi i studentëve të mjekësisë që përgatiten për të ndihmuar të plagosurit në përleshjet e reja me policinë. Zëri rinor i Gjeorgjisë dhe dëshira e tyre për t’u bashkuar në BE, radikalizuar edhe nga ngjarjet në Ukrainë, i kanë dhënë një moment të riopozitës atje që të protestojë kundër një ligji dhe shumë të kundërshtueshëm. Ligji u kalua nga parlamenti dhe më pas u bllokua nga Presidentja, por pritet që të hyjë në fuqi gjithsesi në të ardhmen. Bëhet fjalë për një ligj të ngjashëm me një në Rusi dhe që përcakton grupet shoqërore civile si “agjentë të huaj”.

Në mënyrën si është shkruar, ligji do të dëmtojë qëllimin e Gjeorgjisë për t’u anëtarësuar në BE.

“Do të vrasë të ardhmen europiane të Gjeorgjisë. Ja pse ky është momenti më i rëndësishëm në historinë moderne të Gjeorgjisë. Nëse në zgjedhjet e ardhshme mund t’ia dalim që të heqim këtë qeveri dhe të ndërtojmë një koalicion pro-europian, atëherë Gjeorgjia mund të lëvizë përpara dhe mendoj se e ardhmja jonë mund të jetë e pakthyeshme”, tha Salome Samadashvili, një deputet opozitar dhe ish-ambasador në BE.

Deri më tani zgjedhjet e Tetorit duken larg ndërkohë që rritet frika për më shumë ballafaqime të dhunshme në rrugët e kryeqytetit Tbilisi.

“Qeveria jonë e përshkallëzoi këtë situatë. Mendoj se qëllimi është që të nisë përballje civile. Nëse ne humbim, atëherë humb vendi ynë, liria jonë, pavarësia jonë. Ne bëhemi pjesë e Rusisë”, tha David Katsarava, një aktivist i njohur, që qëndron ende në spital duke u shëruar pas lëndimeve që mori nga policia në një protestë. Katsavara pësoi lëndime në sy ndërkohë që rreth qafës i ka ende të nxirat. Të tjerë aktivistë dhe politikanë të opozitës janë bërë shënjestër e dhunës, kërcënimeve dhe intimidimeve.

Ndërsa kundër protestave qëndron qeveria e Gjeorgjisë, mbështetësit e saj të shumtë dhe forcat e policisë e sigurisë së shtetit. Qeveria thotë se ligji për “agjentët e huaj” nuk ka të bëjë me Rusinë, por sjell transparencë më të madhe për një sektor shumë pak të rregulluar megjithatë me influencë të madhe.

Por zyrtarët kanë shkuar më tej duke argumentuar se protestat po drejtohen, të paktën pjesërisht, nga ndërhyrja e forcave të jashtme perëndimore që kërkojnë të përmbysin qeverinë me një “grusht shteti”. Jo më kot, marrëdhëniet e Gjeorgjisë me BE-në dhe SHBA-në janë përkeqësuar ndjeshëm ditët e fundit.

Kryebashkiaku i Tbilistit, Kakha Kaladze, këmbëngul se ai dhe partia qeverisëse mbeten të përkushtuar ndaj një të ardhmeje europiane për Gjeorgjinë dhe foli për nevojën për të gjetur gjuhën e përbashkët me protestuesit. Ish-lojtari i njohur i Milanit, nga ana tjetër dënon atë që e përshkruan si “proces të orkestruar” të organizuar nga qeveritë e huaja, organizatat joqeveritare, gazetarët dhe forca të tjera për të nxitur një revolucion në Gjeorgji dhe për ta ndëshkuar atë për mosmbështetjen e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

“Kjo nuk është një gjë e rastësishme. Nuk do ta lemë vendin të ketë të njëjtin fat me atë që po ndodh në Ukrainë. Jemi vend i pavarur dhe sovran. Sot qeveria ka mbështetjen e shumicës së vendit”, tha Kaladze.

Në një market fruta-perimesh në Tbilisi, disa gjeorgjianë i bënë jehonë fjalëve të kryebashkiakut dhe shprehin frikën rreth një konflikti me Rusinë.

“Ne dhe Rusia kemi të njëjtin besim ortodoks. Europia nuk është për mua. Ndoshta është për të rinjtë”, tha Giorgi Isakadze.

“Vendet e tjera duhet të tërhiqen pak dhe ta lenë Gjeorgjinë të marrë rrugën e saj. Ta bëjë vetë zgjedhjen e saj, jo me dhunë, por me vullnetin e saj”, tha pronari i këtij marketi i identifikuar si Zeinabi.

Të shtunën pati një kundërpërgjigje ndaj protestave të opozitës. Me mijëra gjeorgjianë ecën nëpër Tbilisi duke shfaqur vlerat familjare, kishën ortodokse dhe duke akuzuar OJQ-të e mbështetura nga jashtë për një përpjekje për të imponuar vlera kundër Gjeorgjisë, duke iu referuar këtu organizatave që mbështesin të drejtat LGBTQ.

Pas betejave të Gjeorgjisë, sot si shpesh edhe në të kaluarën, është Kremlini. Presidenti Vladimir Putin e ka bërë publike tashmë ambicien e tij për të rivendosur disa versione të Bashkimit Sovjetik. Moska nxiti luftërat separatiste në vitet ’90 dhe pushtoi Gjeorgjinë në 2008, shumë përpara pushtimit të Ukrainës. Trupat ruse ndodhen në rreth 20% të territorit të Gjeorgjisë sot.

Por a po i orkestron Putin ngjarjet në Tbilisi për të penguar rrugën e vendit drejt integrimit europian, apo thjesht po përfiton nga paqëndrueshmëria aktuale?

Shumë gjeorgjianë janë dyshues rreth Rusisë dhe të inatosur rreth asaj që ndodh në rajonet e pushtuara të Abkhazisë dhe Osetisë së jugut. Konfuzioni është rritur edhe nga ish-kryeministri Bidzina Ivanishvili, një oligark miliarder, i cili tërheq ende shumë fije politike në rolin e tij si kryetar nderi i partisë qeverisëse “Ëndrra Gjeorgjiane”. Ndërsa flet për integrim europian, kohët e fundit ai ka filluar t’i bëjë jehonë retorikës antiperëndimore të krijuar në Moskë dhe që përdoret nga Presidenti i Hungarisë, Victor Orban e të tjerë. Në një fjalim muajin e kaluar ai akuzoi vendet perëndimore se i përkasin një “partie globale të luftës” që minon interesat kombëtare të Gjeorgjisë.

“Ivanishvili ka luajtur nga mendja. Fjalimi i tij për një parti globale të luftës është thjesht një teori konspirative e çmendur. Mendoj se ai merr instruksione personale nga Rusia. Mendoj se ai ka frikë për një tjetër pushtim rus”, tha Ted Jonas, avokat në Tbilisi, i cili ka nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe gjeorgjiane.

Por çfarë mund të ndodhë më tej?

Shumë gjëra varen nëse shërbimet e sigurisë do të vazhdojnë të shtypin brutalisht protestat, por edhe nga shkalla në të cilën opozita mund ta ruajë vrullin e saj në rrugë.

Mundet që nga presioni diplomatik të ketë një lëshim mbi ligjin dhe ta largojë vendin nga kriza, të paktën për një afat të shkurtër.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Teotr mund të ndihmojnë për këtë.

Por si shumë vende të tjera në kufijtë e Rusisë, Gjeorgjia e ka gjithnjë e më të vështirë të përcaktojë një rrugë të qëndrueshme drejt një të ardhmeje demokratike.

Shkrim nga BBC

Përshtati në shqip Gramoz Pisha, Tvklan.al