#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Udha e Shkronjave” – Luljeta vs Besa

“Kujdes shëndetin” – Gjinekologjia onkologjike, Liv Hospital

“Ka një mesazh për ty” – Ndahet me alkoolin, bashkohet me gruan

Alkooli e bëri të prekte dy herë fundin, Shpëtimi: Mendoja se do më bënte të fortë

Emigrimi ishte zanafilla e një varësie për Shpëtimin. Në historinë që ndan me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ai tregon se pas emigrimit në Greqi, filloi që ngushëllimin për gjithçka ta gjente te alkooli.

Familjes nuk po arrinte t’i plotësonte kërkesat dhe pas 10 vitesh martesë prej të cilës ka dy djem, erdhi edhe fundi. Ish-bashkëshortja shkoi në Durrës së bashku me fëmijët duke i rritur e vetme, një sakrificë që Shpëtimi e vlerëson edhe sot e kësaj dite. Pas atij momenti, ai vetë nisi të jetonte në shtëpinë e rrënuar që kishte në Fushë-Krujë por gjithçka kishte marrë të tatëpjetën.


Shpëtim: Aty vazhdonte më tmerr.

Ardit Gjebrea: T’u larguan të gjithë.

Shpëtim: Po, m’u larguan. Vëllezërit më kritikonin, mos këtu, mos atje por ishte diçka që unë nuk bindesha. mendoja që kjo pija do më bënte të fortë dhe do ta bindja familjen prapë. Isha në një rrugë tepër të gabuar. Rrugë e gabuar kjo.

Ardit Gjebrea: Më trego pak, ti si jetoje gjatë kësaj kohe?

Shpëtim: Shumë keq. Jetoja vetëm në shtëpi.

Ardit Gjebrea: Vetëm fare?

Shpëtim: Vetëm fare.

Ardit Gjebrea: Po ndërkohë kur ishe i dehur, si ecje rrugës?

Shpëtim: Ka pasur raste që shokët i kam pasur të mirë se nuk kam qenë fort në atë lloj grade dhe më kanë çuar shumë persona edhe në makinë, por në shumicën e rasteve shkoja edhe vetë.

Ardit Gjebrea: Ti i jepje makinës?

Shpëtim:  Jo.

Ardit Gjebrea: S’mundeshe.

Shpëtim: Unë rrëzohesha në këmbë, jo më me makinë.

Ardit Gjebrea: Sa kile ishe?

Shpëtim: 60 kile.

Ardit Gjebrea: 60 kile?! Po sot sa je?

Shpëtim: Sot jam 90.

Në mes të kësaj gjendjeje, Shpëtimi njihet me Besën e cila sapo kishte humbur të atin. Ai nuk ia rrëfeu varësinë e tij, por ndërkohë ajo e kishte kuptuar për shkak të kthimit nga emigrimi pa para. Ndërkohë kishte mbetur shtatzënë dhe pasi e pa që situata nuk po ndryshonte, u largua.

Shpëtim: Pas ikjes së saj, ka qenë fundi.

Ardit Gjebrea: Se e preke njëherë, tani ishte fundi tjetër.

Shpëtim: Po, por nuk e di se me ndihmën e Zotit se Zoti mund të bëjë mrekullira, ka fiks 4 vjet…

Ardit Gjebrea: Ku iku Besa, iku në Peshkopi më duket?

Shpëtim: Po, iku në Peshkopi, atje ka vëllezërit.

Ardit Gjebrea: Dhe aty filloi një jetë larg teje.

Shpëtim: Ajo filloi një jetë, por ajo është një burrëreshë mund t’i them. Ajo ka dalë e ka mbledhur lule në mal për të rritur atë fëmijë.

Hoqi dorë nga alkooli për familjen, Shpëtimi kujton ritakimin pas 10 vitesh me gruan e djalin

Varësia nga alkooli i dha fund dy martesave të Shpëtimit. I mbetur i vetëm, pa para ndërsa rropatej në emigrim dhe gjithçka që fitonte i shpenzonte për alkoolin, Shpëtimi ndiente se ndodhej në një gjendje të tmerrshme.

Por në rrugëtimin e tij drejt largimit nga kjo varësi, pati shumë ndihmë. Fillimisht, rrëfen ai për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, një shok me të cilin punonte në Greqi, Hekurani e shkundi nga gjendja ku ishte dhe e solli në realitet.

Për Shpëtimin, puna nisi të kthehej në një motiv për t’u ribashkuar me Besën, bashkëshorten e dytë me të cilin ka edhe një djalë  por fillimisht i duhej të shënonte kthesë në jetën e tij.


Shpëtim: Ëndrra ime ishte sigurisht Besa me gjithë çun, por ëndrra ime ishte që të rregulloja shtëpinë. Doja që të më kompletohej shtëpia, të shoh deri ku jam unë, atëherë…

Ardit Gjebrea: Që nga momenti që Besa iku deri te momenti që ti vendose “stop”, sa vite kanë kaluar?

Shpëtim: 10 vite.

Ardit Gjebrea: Dhe ëndrra jote ishte të rifitoje familjen, por t’i siguroje minimalisht kushtet e duhura për të jetuar, ndaj mendove edhe shtëpinë apo jo?

Shpëtim: Po, po.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë bëre?

Shpëtim: Kam punuar fuqishëm, kam punuar egër, më kanë ndihmuar edhe shokët, në momentin që kanë  parë që unë kam hequr dorë nga alkooli, kam një shoqëri shumë të mirë edhe më ndihmuan në mënyrë fantastike dhe arrita të bëj shtëpinë komplet.

Pas 10 vitesh nga ndarja, një ditë Besa, së cilës i rrëfenin gjithçka për Shpëtimin, e telefonoi duke i shprehur mosbesimin e saj.

Shpëtim: Nuk e besonte. Thoshte “s’është e vërtetë të jetë kjo shtëpia jote, ti shtëpinë e ke shitur”.

Ardit Gjebrea: Po më gënjen thoshte.

Shpëtim: Po. Mora makinën…

Ardit Gjebrea: Se ti more edhe makinën ndërkohë, more makinën dhe i shkove atje. Ajo u çudit që ti po i jep makinës.

Shpëtim: U çudit, kur më pa në makinë u habit. Rrinte më shihte, e habitshme, nuk e besonte.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte djali në momentin që iku Besa në Peshkopi?

Shpëtim: Ka qenë 4 vjeç.

Ardit Gjebrea: Pra ti e gjete djalin 14 vjeç.

Shpëtim: Cili ishte momenti që ajo u bind që të vinte me ty?

Ardit Gjebrea: Pa shumë gjëra, pastaj shkova te një vëlla në Greqi unë, fliste me njerëzit e mi, tha që duhet të jetë e vërtetë dhe pastaj erdhi, kemi marrë familjen dhe kemi ardhur këtu.

Shpëtim: Tani, çuni nga 4 vjeç në 14 vjeç, cili ishte impakti, si u soll ai me ty në momentin që të pa?

Ardit Gjebrea: Iu duk e çuditshme se ka qenë i vogël shumë ai dhe…

Shpëtim: Nuk mësohej dot me ty.

Ardit Gjebrea: Po, nuk më mbante mend. Kurse sot ai…

Shpëtim: Çmendet për ty.

U ribashkua me bashkëshortin pas 10 vitesh, Besa: M’u duk sikur ndarja s’kishte ndodhur kurrë

Shpëtimit iu desh ta mësonte përmes një rruge jo të lehtë se gjithçka që i nevojitej ishte familja. Në historinë që rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ai tregoi se si varësia nga alkooli nuk e bënte të ndihej më i fortë dhe as nuk e përmbushte. Me shumë kurajë e guxim, ai gjeti forcën që të shkëputej dhe të rindërtonte jetën e tij për të patur mundësinë të ribashkohej me Besën dhe djalin e tyre.

Pas 10 vitesh nga ndarja, Besa kuptoi se ndryshimi i Shpëtimit ishte i vërtetë. Ai kishte hequr dorë nga pija, kishte rindërtuar shtëpinë dhe ishte gati që t’i përkushtohej familjes. Falja e saj është shumë e rëndësishme për Shpëtimin ndaj dhe e ka thirrur Besën në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan; t’i shprehë publikisht atë që i mban zemra.


Shpëtim: Dua të falenderoj bashkëshorten. Do ta mbështes deri në vdekje këtë familje dhe i kërkoj të falur.

Besa: Përderisa ne jemi famije, unë e kam falur.

Njëkohësisht, edhe për Besën nuk ishte e lehtë jeta në Peshkopi. Kur u largua, djali ishte vetëm 4 vjeç dhe nuk ishte e lehtë. Në krah kishte motrat e vëllezërit, por mbështetej fort te vetja dhe te djali deri në momentin e ritakimit me Shpëtimin.

Ardit Gjebrea: Në momentin  e parë kur e takove  Shpëtimin pas 10 vjetësh, si ishte?

Besa: Me thënë të drejtën, skur s’kishte ndodhur ndarja asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Vërtet? E besove?

Besa: Me kalimin e ditëve vazhdova që ta besoj.

Ardit Gjebrea: Dalëngadalë. Po kur e pe që po i jepte makinës?

Besa: Aty jam tronditur.

Ardit Gjebrea: Aty the nuk ka mundësi! Po momenti i parë kur pe shtëpinë?

Besa: E pashë që ka ecur shumë përpara, që ka ndryshuar.

Ardit Gjebrea: Dhe ti nuk e besoje këtë gjë.

Besa: Ishin 10 vite, nuk ishin pak dhe ishte një distancë. Në ato 10 vite unë Shpëtimin një herë e kam takuar.

Ardit Gjebrea: Si e takove?

Besa: Desha një firmë për çunin, për një prokurë.

Ardit Gjebrea: Dhe ai ishte në atë periudhën e vështirë kur e takove.

Besa: Po, shumë të vështirë.

Ardit Gjebrea: Ta dha firmën?

Besa: Po.

Ardit Gjebrea: Gjë e mirë kjo.

Besa: E kam falenderuar pa masë.

Ardit Gjebrea: Gjatë atyre 10 viteve, nuk të mbushi mendjen ndonjë Shpëtim tjetër? Shpëtimi menjëherë reagoi që “ore!”

Besa: Tani kishte, por nuk e di dashurinë e Shpëtimit e kisha thellë brenda.

“Ka një mesazh per ty” – “Urrejtja” që u kthye në dashuri

“Fëmija nuk ia doli dot”, Silvana rrëfen për herë të parë humbjen e saj

Prej 24 vitesh Silvaa është larguar për në Itali ku jeton me familjen e saj. asokohe ishte vetëm 12 vjeçe dhe për disa kohë arriti që të ndiqte shkollën, por më pas mundësitë e pakta ekonomike e detyruan që të kthehej në ndihmë për familjen. Që atëherë, ajo ka bërë punë të ndryshme: kamariere, sanitare,  kasape, infermiere, gjithçka që i dilte përpara. Njëkohësisht, nisi të angazhohej vullnetarisht për të ndihmuar emigrantët shqiptarë që të pajiseshin me dokumentacion.

Në disa raste mori veçse mosmirënjohje dhe siç shprehet Silvana në “Ka Një Mesazh për Ty”, kjo e bëri “ta urrente Shqipërinë”. Njëkohësisht, e njohu edhe me bashkëshortin e saj, Oltin, i cili nuk kishte dokumentacion dhe frika e saj ishte se mos kjo ishte arsyeja pse ai donte të qëndronte me të.

Gjithçka rezultoi ndryshe, Olti po ndiqte procedurat për t’u pajisur me gjithçka duhej por në një moment situata kthehet përmbys dhe e dërgojnë në Shqipëri. Ngjarja ndodhi në një moment shumë kritik për Silvanën që e përlotur, e rrëfen për herë të parë në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.


Silvana: Në atë kohë unë…më falni, nuk ia kam treguar dikujt, isha shtatzënë. Kur ai ishte në Shqipëri, mua më duhej të punoja gati 12 orë në ditë sepse do ndihmoja si bashkëshortin në Shqipëri por më duhej të punoja edhe për të bërë letrat që të rriteshim pak nga ana ekonomike që të bëja bashkim familjar me bashkëshortin. Kam vuajtur sepse në atë kohë sado që isha e lumtur që isha shtatzënë, unë humba edhe fëmijën. Kur doktoresha më tha “e ke nga lodhja, je e stresuar, stresi, depresioni, lodhja sepse punon te 12 orë gati te 18 orë në ditë”, rezultati ishte që fëmija nuk ia doli dot. Është një plagë si për mua, si për bashkëshortin por me fat jam sepse kam dy vajza të bukura tani.

Ardit Gjebrea: Ti ia dole që ta sillje Oltin në Itali?

Silvana: Po. Bëra luftë sepse në atë kohë që Olti ishte në Shqipëri, njerëzit e mi, ca, sepse nuk janë të gjithë njësoj, flisnin, thoshin “ja Silvana me Oltin do ndahen tani se Silvana nuk vjen në Shqipëri”. Aty mua më vinte akoma më urrejtje sepse ata s’e dinin që unë po luftoja për të bërë letrat se nuk më njihnin. As familja ime nuk më njihte sa vuajtje kisha brenda. Vuajta por i bëra edhe letrat. Ai nuk ndenji shumë kohë. Sa mori vizën, në mëngjes mori vizën e mori avionin për të ardhur në Itali.

I rikthyen dashurinë për Shqipërinë, fjalët e ndjera të Silvanës për dy miqtë e saj

Pas shumë herësh që kishte ndihmuar bashkatdhetarët e saj të pajiseshin me dokumentacionin italian, Silvana ishte zhgënjyer shpesh. Episodet e njëpasnjëshme e bënë  ta “urrente Shqipërinë”, u shpreh ajo në “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Por takimi me Vilmën dhe Marjanin të cilët drejtojnë një qendër kulturore, “Margarita Xhepa” në qytetin ku jetojnë në Itali, ka shënuar një kthesë në këtë mendim të Silvanës. Për këtë arsye, ajo ka ardhur që t’i surprizojë në studion e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.


Silvana: Ju ftova këtu për t‘ju falenderuar. Marjan, jo vetëm ty, por mësusesit, vullnetarët,  themeluesit e asaj qendrës, por jo vetëm për fëmijët tanë, për ne nënat, për prindërit, për gjyshërit, për gjithë ata njerëz që vijnë në atë qendër që ju e keni bërë shtëpinë e dytë. Ju falenderoj shumë! Ëmbëlsirën e lë për në fund si gjithmonë.

Të falenderoj ty Vilma, ti, Elida dhe Merushja me rastin e sëmundjes time më keni qenë aq pranë sa këtë e prisja veç nga familja ime por ju më keni qenë pranë si motra. Kjo do të thotë që në atë qendër jeni një familje shumë e madhe. Siç e dini unë e urreja Shqipërinë. E di, është një fjalë e rëndë por ju më bëtë që ta adhuroj Shqipërinë.

Tragjedia që solli forcë! Humbja e jetës së fëmijës shqiptar bashkoi zemrat e komunitetit

Marjan dhe Vilma janë themeluesit e qendrës kulturore “Margarita Xhepa” në Asti, Itali. Prej disa vitesh, kjo qendër u mëson shumë fëmijëve shqiptarë gjuhën shqipe, mban gjallë kulturën dhe është një pikë takimi për komunitetin.

Të ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, çifti rrëfen se ideja fillestare nisi me një koncert, por më pas vendosën që do ishte diçka më e madhe. Një tragjedi shënoi edhe themelet e qendrës e cila është ngritur me kontributin e shumë njerëzve.


Marjan:Pastaj ishte një episod tragjik që ndodhi në Asti. Humbi jetën një fëmijë i vogël, ishte shqiptar dhe aty gjetëm edhe forcën, na lindi ideja që vetëm të bashkuar mund të bëjmë diçka.  Edhe pse ishin fillimet tona, ne filluam ato kontaktet me gjithë shoqërinë që kishim për të ndihmuar sado pak, ashtu siç e kemi traditë ne shqiptarët. Unë i pari u gjenda në vështirësi, i thashë të shkojmë në shtëpi, edhe pse nuk i njoh, po sikur të thërras edhe shokë të tjerë? Dhe secili thirri shokët.

Fatkeqësisht, vendi ku u takuam ishte në një bar, një klub sepse nuk kishim vend tjetër ku të takoheshim dhe çdo shqiptar që erdhi aty, me zemër në dorë dha ato që kishte mundësi dhe na dha të kuptojmë që kemi nevojë për një qendër, për një vend ku të takohemi, ku të qajmë hallet tona, ku të gëzohemi, ku të festojmë, por ku të kemi edhe mundësi të ndërrojmë edhe dy fjalë shqip ndaj na lindi ideja, thamë pse mos të bashkohemi, të bashkojmë forcat, t’i bëjmë thirrje komunitetit dhe me sakrifica sepse janë hedhur goxha lekë te një godinë gjithmonë e komunës por që na u dha në shërbimin tonë për ta riparuar dhe për ta vënë në funksion. Aty gjetëm vetveten.

“Shihemi në gjyq” – “Ish-gruaja më përndjek prej 20 vitesh”

“Jam shumë e acaruar me znj. Eni”/Deklarata e Eglantinës habit studion, si reagon ndërmjetësja

Eglantina shprehet gjatë insertit të saj në “Shihemi në Gjyq” se “nuk i ndahet ish-bashkëshortit”derisa ai të përgjigjet. Martesa e tyre ka përfunduar prej vitesh, por ajo ka ende disa kërkesa për të. Me  hyrjen e saj në studio Eglantina nuk shpreh vetëm problemin me Shkëlqimin, por thotë se është e acaruar me ndërmjetësen e rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobanin.


Eglantina: Unë jam këtu sot dhe jam shumë e acaruar me zonjën Eni.

Ardit Gjebrea: Me zonjën Eni?

Eglantina: Po, me zonjën Eni jam e acaruar sepse nga njerëz që unë i kam të përbashkët me ish-bashkëshortin tim, kam dëgjuar që ai është drejtuar zonjës Eni.

Eni Çobani: Para jush.

Eglantina: Po, për problemet e tij që ai ka.

Eni Çobani: Ku është problemi im me ju tani, në ç’kuptim? S’ka problem që ju mund të jeni…

Eglantina: Problemet që ka me kunatën…

Ardit Gjebrea: Po ç’problem ka që i është drejtuar zonjës Eni se ju jeni ndarë nga ai?

Eglantina: Unë prisja që zonja Eni të më kontaktonte të paktën, a nuk e di, zoti Shkëlqim a i ka thënë zonjëës Eni që ka qenë i martuar?

Eni Çobani: Atëherë këtë do ia drejtojmë së bashku kur ai të hyjë këtu dhe atëherë do merrni edhe përgjigjen. Tani në këtë momente nuk po jua jap dot përgjigjen. Kur të vijë Shkëlqimi do merrni përgjigjen nga unë dhe nga Shkëlqimi, e kam ditur unë që ju jeni bashkëshortja e Shkëlqimit apo jo.

Sapo Shkëlqimi vjen, ai nis t’i thotë Eglantinës mos ta përndjekë më e ta lërë të qetë dhe konfirmon se Çobani nuk ka qenë në dijeni të kësaj martese të mëparshme.

Shkëlqim: Pse do të të them unë ty, unë jam ndarë prej 20 e ca vjetësh!

Eni Çobani: Po jo se do më thuash mua, por s’më ke thënë që ke grua o zotëri që unë të kem detyrë të marr zonjën! Pra kjo thotë që ti zonjë nuk më ke marrë, por ke pritur Shkëlqimin, ke ndenjur me Shkëlqimin, ke bërë muhabet me Shkëlqimin. O Shkëlqim, ti je si të gjithë shqiptarët, ke trokitur në derën zotëri, ke gjetur numrin e telefonit, ke ardhur, të kam pritur. Kjo zonja tani më akuzon, ke pritur Shkëlqimin, s’më ke marrë mua. Tani ke thënë gjë që ke grua ti?

Shkëlqim: Jo, nuk kam thënë!

Eni Çobani: E pra, e dëgjove tani? E more përgjigjen?

Shkëlqim: S’kam asnjë detyrim ndaj saj.

Shokon Eglantina: Kunata më mësoi të abortoja fëmijën!/ Shkëlqimi me lot në sy:  Kam 5  vite që nuk shoh nënën!

Eglantina ka ardhur në “Shihemi në Gjyq” për t’i kërkuar ish-bashkëshortit të saj, Shkëlqimit që t’i paguajë detyrimet e fëmijëve të tyre. Çifti ka patur një martesë 7-vjeçare, më pas janë ndarë dhe kanë bashkëjetuar disa herë duke sjellë në jetë binjakë. Fëmijët nuk e gëzojnë atësinë e Shkëlqimit sepse ai nuk pranon t’u japë mbiemrin.

Por Eglantina kërkon që ish-bashkëshorti, të cilin e përndjek prej vitesh, t’i kthejë një shifër prej 50 mijë eurosh. Sipas saj, kjo shifër përmbledh dëmin fizik dhe psikologjik që ajo ka pësuar nga aborti i një fëmije.


Eglantina: Ne punonim, unë merrja 1 milionë e 800 mijë lireta plus unë merrja edhe një rrogë tjetër vetëm me bakshishet sepse ne flinim në hotel por kam edhe dëmet e mia fizike. Në ‘94 kam ngelur shtatzënë dhe e kam dështuar, më ka mësuar Luljeta si ta dështoja fëmijën dhe zoti Shkëlqim bashkë sepse po të shkoja të punoja në hotel nuk më pranonte njeri shtatzënë.

Eni Çobani: Më fal, edhe njëherë…

Shkëlqim: Këtu të jap të drejtë, e di që kam bërë një gabim.

Eni Çobani: Kjo është shumë e rëndë Shkëlqim, prit, kjo nuk është gabim! Kjo është shumë e rëndë! Edhe njëherë të lutem, si, në vitin…

Eglantina: Në ’94  kam ngelur shtatzënë…

Eni Çobani: Në Shqipëri.

Eglantina: Po, në Shqipëri.

Eni Çobani: Dhe ishte përgatitur për të shkuar në Itali apo jo?

Eglantina: Ne punonim në hotel dhe unë në hotel nuk mund të rrisja një fëmijë dhe nuk mund të rrija në hotel. Atëherë zoti Shkëlqim tha që nëse do të vish në Itali, duhet ta dështosh fëmijën me gjithë zonjën  Luljeta dhe zonja Luljeta më mësoi si të veproja. 

Eni Çobani: Si të mësoi, si mund të mësojë një grua një grua tjetër për të dështuar?

Eglantina: E shkatërrova veten me ilaçe, kam pirë ilaçe derisa dështova, këtë kam bërë. E kam bërë, për dashurinë dhe për mos të ndenjur me Luljetën se Luljeta bënte fytyrën e mirë në prezencë dhe ashtu i leverdiste, që unë mos të kisha një fëmijë që pasuria t’i shkonte e gjitha asaj dhe fëmijëve të saj.

Shkëlqimi e pranon tërësisht gabimin e tij, por vijon të shprehet se nuk i interesojnë fëmijët. Për të, dhimbja më e madhe është shkëputja e marrëdhënieve me nënën që e deklaron i përlotur.

Shkëlqim: Eglantina, kam 5 vjet që nuk shikoj mamanë! A e kupton ç’do të thotë?

Eglantina: Nuk më intereson!

Shkëlqim: Po shkatërrohem! Të lutem, më lër të paktën ti rehat sepse kam një problem tjetër këtej! Ti nuk e kupton, të mos shikosh mamanë 5 vjet, të ndërpritet marrëdhënia. Mamaja tani është në atë gjendje që nuk di se çfarë thotë, nuk di se çfarë bën.

Eglantina: E ke një kunatë dhelpër, ta ka sekuestruar mamanë!

Shkëlqim: E di! E kam kuptuar, tani vonë e kam kuptuar. Kur mora vesh kishin bërë prapaskenat.

“Bëj testin e ADN-së!”/Shkëlqimi s’pranon t’u japë atësinë fëmijëve: Po t’i kishe hequr…

Përveç çështjes ligjore që Shkëlqimi ka me familjen e tij, një problem shumë i rëndësishëm në përballjen e tij me ish-bashkëshorten, Eglantinën, mbetet atësia e dy fëmijëve. Që prej fillimit të puntatës së “Shihemi në Gjyq”, Shkëlqimi ka refuzuar kategorikisht edhe të bëjë ADN-në.

Sic u sqarua gjatë rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, binjakët kanë ardhur në jetë pas divorcit, kur ish-çifti ka tentuar disa herë të bashkëjetojë për periudha të ndryshme kohore. Eglantina është shumë e sigurt për atësinë e fëmijëve ndërkohë që sipas deklaratës së Shkëlqimit, duket se arsyeja që ai nuk pranon është fakti që nuk ka dashur të marrë përgjegjësi.


Ardit Gjebrea: Zotëria pranoi që në ato muaj që vinte dhe ikte nga ty ka patur edhe të tjera. Ti ke patur të tjerë?

Eglantina: Absolutisht jo. Për këtë po them që unë jam shumë e sigurt që fëmijët janë të tijtë dhe duhet të paguajë edhe lekët për rritjen e fëmijëve.

Shkëlqim: Në qoftë se ne kishim një marrëdhënie shumë të largët, më kupton, si ka mundësi…

Eglantina: Unë jam shumë e sigurt, ti jo.

Shkëlqim: Trego të vërtetën se mund të kesh pasur edhe marrëdhënie të tjera, nuk më intereson në fund fare, nuk e pranoj.

Eglantina: Bëj ADN-në.

Shkëlqim: Nuk ka mundësi që të jetë ashtu,e para dhe e dyta unë kam thënë unë nuk dua t’i njoh fëmijët. Nuk dua të mbaj përgjegjësi, ta kam bërë të qartë që atëherë, mos më kërko gjëra të tjera.

Eglantina: Nuk ka problem, i mbaj vetë, i rris vetë siç i kam rritur.

Ardit Gjebrea: Përse nuk ke pranuar që ta bësh ADN-në? Çfarë i trembesh ti?

Shkëlqim: Nuk dua ta bëj.

Ardit Gjebrea: Pse s’do ta bësh?

Shkëlqim: Kanë kaluar 20 e ca vjet, ne kemi kaluar pak marrëdhënie pas martese se ajo mendonte mos më ndryshonte mendjen, unë nuk e ndryshova mendjen dhe nuk bëhem pishman për atë që kam bërë në atë periudhë. Sot e kam kuptuar që e kam gabim, por deri në atë periudhë se nuk ma ndërronte dot mendjen dhe u larguam.

Ardit Gjebrea: O Shkëlqim, ajo abortoi fëmijën për ty. Më përpara tha “për dashurinë” dhe unë, nuk e kuptoj dot që thjesht për dashurinë ti të humbësh një dashuri.

Eglantina: Nuk kemi pasur atë lirinë që është sot dhe që femrat kanë sot në Shqipëri. Atëherë thoshte burri ja ku është porta, po nuk shkoi mirë, dil përjashta!

Shkëlqim: Unë i thashë hiqe se unë nuk mbaj përgjegjësi, thuaje edhe këtë të vërtetën që ta thashë këtë, që për mua ti hiqe se po i mbajte unë nuk mbaj përgjegjësi! Ti bëre me kokën tënde. Po t’i kishe hequr, s’do kishe përgjegjësi tani këtu.

“Ç’ndodh nëse ADN-ja konfirmon atësinë?”, Gjebrea ‘zë ngushtë’ Shkëlqimin

Pas shumë përpjekjesh nga ana e moderatorit të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas, më në fund Shkëlqimi premtoi se do ta kryejë testin e ADN-së për dy fëmijët e Eglantinës. Deri në fund të “Shihemi në Gjyq”, ajo u shpreh e bindur se binjakët, të cilët sot janë 20 vjeç, kanë ardhur si rrjedhojë e marrëdhënies me ish-bashkëshortin.

Por ende nuk dihet se cili do të jetë hapi i radhës për Shkëlqimin nëse testi do të konfirmojë atësinë. Dikur ai nuk donte përgjegjësi, por a do të jetë gati t’i marrë përsipër dhe të vazhdojë të lajë rrobat te Eglantina, siç bënte më parë? Duket se alternativa e dytë është e mirëpritur edhe nga vetë Eglantina së cilës i shkëlqejnë sytë.


Ardit Gjebrea: Nëse ADN-ja nxjerr që ata dy fëmijë janë të tutë…çfarë do bësh?

Eglantina: Janë, jam e sigurt.

Ardit Gjebrea: Derisa të dalë përgjigjja.

Shkëlqim: Derisa të dalë përgjigjja që janë fëmijët e mi se po është e kundërta është normale që është e kotë.

Ardit Gjebrea: Po është e kundërta, është e kundërta, por nëse janë të tutë, çfarë ndodh?

Shkëlqim: Nuk di çfarë të bëj tani…

Ardit Gjebrea: S’di çfarë të bësh, po janë fëmijët e tu mo.

Shkëlqim: Do ju falenderoj tek e fundit fare…

Eni Çobani: Që të bëmë me fëmijë.

Shkëlqim: Jam i bindur akoma që nuk janë fëmijët e mi, megjithatë presupozojmë .

Eni Çobani: Mos e themi më.

Ardit Gjebrea: Supozojmë që janë. Ne do bëjmë festë pastaj.

Shkëlqim: Patjetër.

Ardit Gjebrea: Do ta bëjmë festën. E pastaj do shkojmë do lajmë rrobat te Eglantina.

Shkëlqim: Shohim e bëjmë, çdo hap në kohën e tij.

“Të Panjohurit” – Klaudja Çera

/tvklan.al