Pas Kroacisë do të jetë radha e kombëtares italiane për të zbuluar listën paraprake drejt kampionatit Europian. Kampionët në fuqi të Europës kanë paralajmëruar se kjo e enjte do të jetë edhe ajo që do i jap fund dilemave për ato futbollistë që do të jenë në dispozicion të Luciano Spallettit. Natyrisht, lista mund të jetë e gjatë, për të nxjerr më pas 26 lojtarët që lejon UEFA në turneun e kësaj vere.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, të shumta do të jenë prurjet e reja në këtë grumbullim. Mesfushori i Torinos, Samuele Ricci ka lënë përshtypje pozitive te Spalletti, së bashku me shokët e tij të skuadrës Alessandro Buongiorno dhe Raoul Bellanova. Në listë pritet të jenë edhe yjet e Lazios, Ciro Immobile dhe Zaccagni. Italia do të luajë dy miqësore përpara nisjes për në Gjermani.

Ata do të përballen me Turqinë më 4 qershor në Stadio Dall’Ara në Bolonja dhe pesë ditë më vonë, më 9 qershor, do të presin Bosnjën dhe Hercegovinën në Stadio Castellani në Empoli. Lista përfundimtare do të dorëzohet me 7 qershor, teksa Italia luan takimin e parë në turneun e kësaj vere ndaj kombëtares sonë më 15 qershor në Dortmund. Euro 2024 mbahet nga 14 qershori deri më 14 korrik dhe do vij falas e ekskluzivisht në TV Klan.

Klan News