Në intervistën e saj për “Rudina” në Tv Klan, Mendi kujtoi të atin e ndjerë, aktorin Mirush Kabashi ku rrëfeu karrierën e tij, lidhjet dhe kujtimet me të por edhe këshillat që i jepte. Por gjatë bisedës u vu re se Mendi fliste shpesh për të atin njësoj si ai të ishte ende në jetë. Këtë ajo e shprehu edhe vetë duke thënë se i duket ende shpejt që të flasë në të shkuarën pasi e ndien prezencën e tij përreth.

Mendi Kabashi: Unë flas akoma në të tashmën dhe nuk dua të flas në të shkuarën. Është shumë shpejt që të flas në të shkuarën. Ndonjëherë ajo gënjeshtra që ti i thua vetes është më e lehtë sesa ajo dhimbja shumë e madhe dhe boshllëku që krijon ndjesia nuk është këtu dhe do ta kaloj për shumë kështu derisa të ndihem unë gati ta pranoj. Nuk është çështje e të pranuarit të realitetit, ti mund ta shohësh si të duash, unë e ndiej tim atë edhe këtu, unë mund t’i flas dhe ai nuk mund të përgjigjet, por e ndiej ngrohtësinë, prezencën e tij se dua ta ndiej dhe kam aftësinë ta ndiej.

Një tjetër moment që Mendi ndau është edhe një ritual i përhershëm me vajzën 7-vjeçare, Madelaine. Ajo nuk di shqip, por ndjek videot e gjyshit që gjenden në internet dhe të dyja përloten. Mirush Kabashi dëshironte shumë që mbesa të mësonte shqip dhe duket se e ka lënë një amanet.

Mendi Kabashi: Ne bëjmë lutjen tonë dhe pastaj shohim videot e babit në Instagram ose në TikTok, ato “shorts”. Në mënyrë të vazhdueshme klikoj “Mirush Kabashi”, më dalin dhe të dyja përlotemi në të njëjtën mënyrë. Ajo më thotë “mami, mos qaj”. Edhe thotë “do kisha dashur ta kisha mësuar shqipen që të flisja me të” por që nuk ishte e shkruar. Babi më kritikonte aq shumë, “pse nuk i mësove gocës shqipen” dhe i thoja po është shumë e vështirë, nuk ha shqip, ça t’i bëj, në shaka e sipër se mundohesha t’i thosha gocës 2 vjeç “vishi mami këpucët”, “what?” dhe fillon edhe patjetër, duhet të punosh me vajzën. Ka qenë në dhjetor të 2022-it, viti kur ime motër u fejua dhe unë erdha dy herë atë vit në Shqipëri dhe u çua dhe më tha edhe në video diku, “do ia paguaj unë shkollën vajzës por dua t’i mësosh shqip”.

Rudina Magjistari: Ky është një lloj amaneti në njëfarë mënyre.

Mendi Kabashi: Ma ka thënë dhe i thashë do ta regjistroj./tvklan.al