Edhe jeta e Zonjës së Parë të Francës Brigitte Macron do kthehet në një serial televiziv. Kompania franceze “Gaumont”, një nga më prestigjiozet e shtetit francez, ka bërë me dije se seriali ka 6 episode dhe titullohet “Brigitte, një grua e lirë”.

Siç shkruajnë mediat e huaja, seriali nis me takimin e parë të Brigitte me Emmanuel Macron. Çifti u njohën kur ajo ishte mësuese, ndërsa Macron ishte student i saj. Dashuria e tyre u kurorëzua në martesë në vitin 2007, kohë kur Macron ishte 29 vjeç, ndërsa Brigitte 54.

E njohur në atë kohë si Brigitte Ozier, ajo dha mësim deri në vitin 2015, periudhë kur Macron iu fut politikës. Dy vite më vonë ai u zgjodh President i Francës.

Sigurisht edhe para se ata të bëheshin personazhet kryesore në Francë e jo vetëm, dashuria e tyre hasi shumë paragjykime, jo vetëm për shkak të diferencës në moshë, por edhe prej së shkuarës së Brigitte. Kjo e fundit, ishte martuar më parë me bankierin Andre Ozier dhe ishte nënë e 3 fëmijëve. Vajza e saj më e madhe Lorance, e ka pasur dikur Macron shok klase.

Briggite dhe Emmanuel, në vitin kur u dashuruan

Ky serial, produkt i punës së Bénédicte Charles dhe Olivier Pouponneau do ta paraqesë Brigitte ashtu siç ajo është, një personazh magjepsës përballë shumë sfidave.

Nuk dihet ende kasti i serialit, por thashetheme ka se Julia Roberts e Ryan Gosling do jenë protagonistë. E në fakt do të ishte dyshja perfekte në rolin e një çifti aq të dashuruar sa Brigitte dhe Emmanuel./tvklan.al