Lajme Arkiva 2004

Pezullohen punimet e një pallati 11 katësh në zonën “Nikolla Tupe”. Për këtë pallat firma ndërtuese Bestar ka marrë leje në vitin ’97, por ai i ka shkelur të gjitha kushtet e ndërtimit dhe njëkohësisht lejen e ndërtimit me tre kate shtesë nga leja e miratuar.

Për të bërë prezentë këtë shkelje të rëndë kryebashkiaku Edi Rama ka qenë në këtë ndërtim, i cili ngrihet përball zyrave të minibashkisë numër 5.

Edi Rama: “Kjo është natyrisht një përpjekje e dëshpëruar për të vënë alarmin pasi është që prej vitit 2002 që njësia bashkiake ka qenë në gjendje alarmi me një rrezik eminent për banorët. Nuk jemi më në fazën që po flasim për dëme urbanistike dhe jemi gati të flasim për dëme njerëzore dhe largoftë, një lëkundje e lehtë dhe gjithçka këtu kthehet në një katastrofë dhe njëkohësisht është përsëri rasti për të thënë që ato reforma që kemi vite që flasim dhe atë domosdoshmëri të reformimit të strukturës së policisë ndërtimore e cila me gjithë përpjekjet e veta nuk mund dot ta mbulojë kështu siç është e strukturuar këtë territor duhet ta bëjmë se po na ikën realisht nga duart territori i atdheut tonë të dashur. Po ikën për lesh gjithë territori i Shqipërisë”.

Shkelja e lejes së miratuar nga KRT-ja përbën problem edhe për dy pallatet pranë këtij ndërtimi pasi u ka shkaktuar plasaritje të mureve  duke u rrezikuar jetën e banorëve  që jetojnë në katet e para  të këtyre pallateve./tvklan.al