Bisedës për kampionatin europian me Alban Bushin në “Aldo Morning Show” iu bashkua edhe Alban Xhihani përmes një telefonate. Xhihani zbuloi pak nga surprizat që na presin në kanalin e Tv Klan ku do të transmetohen të gjitha ndeshjet e Euro 2024 ku emocionet do të fillojnë me një programacion të dedikuar.

Alban Xhihani: Më vjen mirë që Klani arriti që  të rikthejë kombëtaren dhe madje në  këtë  event kaq të rëndësishëm siç është kampionati europian që ishte një lloj fatsjellësi edhe për kombëtaren, me të drejtat televizive që mori së fundmi.

Aldo: Edhe një batutë që mund ta përdorësh po të duash Alban, ndryshe nga shumë evente në Shqipëri, evente të mëdha në Shqipëri, Klani do arrijë t’i gjallërojë qytetet, jo t’i fusë në shtëpi.

Alban Xhihani: Patjetër. Klani do të jetë nga data 14 qershor – 14 korrik me të gjitha ndeshjet ekskluzivisht, do të kemi emisione të dedikuara duke filluar nga një orë përpara ndeshjes, përpara dhe pas çdo ndeshjeje duke e mbyllur në mbrëmje me një ‘show’ të vërtetë, me një spektakël sportiv të këtij  kampionati, me të ftuar specialë ku një prej tyre do të jetë, do ta zbulojmë sot, edhe Alban Bushi.

Ndeshjet e Euro 2024 do të keni mundësi t’i ndiqni ekskluzivisht dhe pa pagesë në ekranin e Tv Klan./tvklan.al