erdoganKryeministri turk Rexhep Taip Erdoan nuk tërhiqet nga beteja e tij kundër rrjeteve sociale, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese në Ankara hodhi poshtë vendimin e qeverisë për bllokimin e tyre. Erdoan i`u drejtua kësaj gjykate me një ankesë formale kundër rrjeteve Tuiter e Jutjub. Objekt i ankesës janë regjistrimet e telefonatave të tij, të publikuara në këto rrjete sociale. Kryesministri turk e konsideron publikimin e regjistrimeve telefonike, si dhunim të të drejtave të familjes së tij. Madje ai kërkon prej këtyre rrjeteve sociale një dëmshpërblim prej 23 500 dollarësh.

Por megjithë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qeveria turke duket se e ka bërë veshin e shurdhet. As Tuiterit e as Jutjubit nuk u është hequr bllokada. Erdoan mesaduket po pret edhe përgjigjen nga drejtuesit e kësaj gjykate për apelimin që i ka bërë këtij vendimi. Ai madje akuzon drejtuesit e kësaj gjykate si të korruptuar dhe të përfshirë në çësthje politike.

Qeveria turke vendosi bllokimin e këtyre rrjeteve sociale më 21 mars, për shkak të zgjedhjeve lokale, ku partia e tij gjithësesi fitoi bindshëm. Pak kohë më parë, të dyja këto rrjete publikuan pjesë të regjistrimeve të bisedave telefonike të kryeministrit turk, me djalin e tij dhe biznesmenë të afërt, ku flitej për përfitime e favore. Erdoan akuzon klerikun në arrati Fetullah Gylen si përgjegjës për regjistrimet, që i konsideron si sulme për të minuar arritjet e mëdha të Turqisë, nën qeverisjen e tij.