Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan akuzoi Gjermaninë se po mbështet terrorizmin.

Duke folur para mbështetësve të partisë së tij në provincën Rize’ në Detin e Zi, Erdoan tha se Gjermania nuk po ia dorëzon Turqisë terroristët, emrat e të cilëve, autoritetet turke ua kanë dërguar me dosje autoriteteve gjermane.

Presidenti turk tha se kancelares gjermane i ka dërguar 4500 dosje të personave që jetojnë në Gjermani dhe në Turqi akuzohen për pjesëmarrje në aktivitete terroriste. Siç u shpreh Erdoan,

“kur gjermanët kërkojnë terroristët, Turqia ua dorëzon. Ndërsa ata nuk bëjnë të njëjtën gjë”.

Turqia ua ka dorëzuar prej disa muajsh dosjet për të akuzuarit, autoriteteve gjermane. Por qeveria gjermane refuzon t’ia dorëzojë Turqisë personat e kërkuar, pasi pretendon se provat e paraqitura nga Turqia janë të pamjaftueshme.

Në dosjet që Turqia i ka dërguar Gjermanisë, bëjnë pjesë mbështetës të grupimeve politike kurde, që në Turqi konsiderohen terroristë, militantët majtist, ushtarakë të lidhur me grushtin e dështuar të shtetit të vitit të kaluar dhe mbështetës të krerikut në arrati Fetullah Gylen.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Gjermanisë janë tensionuar së tepërmi, pas arrestimit në Stamboll të 10 aktivistëvve për të drejtat e njeriut, mes tyre edhe një gjerman me akuzën se përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare. Po ashtu, Turqia u ka refuzuar disa deputetëve gjermanë vizitat në bazat turke ku janë stacionuar ushtarët gjermanë./ABC News