Presidenti i Turqisë, Tayyip Erdogan tha të shtunën se autoritetet kurde të Irakut do ta paguajnë shtrenjtë referendumin e pavarësisë që mbajtën, i cili u kundërshtua gjerësisht nga fuqitë e huaja.

Kurdët e Irakut mbështetën masivisht pavarësinë në referendumin e së hënës, duke sfiduar vendet fqinje që kanë frikë se votimi mund të ushqejë separatizmin kurd në kufijtë e tyre dhe të çojnë në konflikte të reja.

 “Ata nuk po formojnë një shtet të pavarur, por po hapin një plagë në rajon e cila mund të zgjerohet më tej”

, tha Erdogan në qytetin Erzurum në lindje të Turqisë.

Erdogan ka ndërtuar lidhje të forta tregtare me autoritetet kurde në Irakun e veriut, i cili pompon qindra mijëra fuçi naftë çdo ditë përmes Turqisë për eksport në tregjet botërore.

“Ne nuk pendohemi për atë që kemi bërë në të kaluarën, por meqenëse kushtet janë ndryshuar dhe Qeveria Rajonale Kurde, për të cilën kemi ofruar të gjithë mbështetjen, ka ndërmarrë hapa kundër nesh, do të paguajë çmimin për këtë gjë”

, tha ai.

Turqia ka kërcënuar vazhdimisht të vendosë sanksione ekonomike, duke ulur në mënyrë efektive aksesin e tyre kryesor në tregjet ndërkombëtare dhe ka mbajtur stërvitje të përbashkëta ushtarake me trupat irakiane në kufi.

Megjithatë, pasi Erdogan tha se kurdët irakianë do të ishin të uritur nëse Ankaraja ndërpret rrjedhën ndërkufitare të kamionëve dhe naftës, ai tha se masat që do të marrë nuk do të preknin popullin e thjeshtë por vetëm ata të cilët organizuan referendumin./tvklan.al