erdogan-pas-zgjedhjeve

Vazhdon beteja e akuzave mes Turqisë dhe Rusisë për rrëzimin e avionit ushtarak rus. Presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan paralajmëroi Vladimir Putin “të mos luajë me zjarrin”, por nga ana tjetër nënvizoi se “Turqia nuk synon të dëmtojë marrëdheniet me Rusinë”.

Erdoan ftoi Putinin në një takim ballë për ballë në Paris, ku javën e ardhshme do të zhvillohet Konferenca për Klimën dhe dy udhëheqësit do të jenë të pranishëm.

“Do të doja ta takoja dhe t’i thoja në sy. Jemi të shqetësuar që çështja përshkallëzoi”.

Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Llavrov – tha të premten, gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm sirian, Valid Muallem, se lidershipi turk tejkaloi kufirin e asaj që konsiderohet e pranueshme.

Për Moskën avioni ushtarak Su-24 nuk ka shkelur në hapësirën ajrore të Turqisë, për Ankaranë kjo ka ndodhur megjithëse në versionin e autoriteteve turke nuk është dalluar nëse avioni ishte rus.

Rusia apeloi për ndjesën e autoriteteve turke, të cilët nga ana e tyre thonë se mbrojtën hapsirën e ajrore të Turqisë. Moska kërcënoi me pasoja të rënda ndërsa po përgatit edhe sanksionet ekonomike kundër Turqisë.

Tv Klan